KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Spera refuzon ndërhyrjen në proceset e Speciales, Behrami i kërkon llogaridhënie para Kuvendit

Spera refuzon ndërhyrjen në proceset e Speciales, Behrami i kërkon llogaridhënie para Kuvendit

Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Pietro Spera, në një përgjigje drejtuar Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ka sqaruar kufijtë e mandatit të tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në proceset që zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në letrën e datës 17 nëntor, të publikuar nga deputeti i PDK-së, Artan Behrami, Spera konfirmon se ka pranuar ftesën e Komisionit, për të diskutuar lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Dhomat e Specializuara, në raport me rastet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, transmeton IndeksOnline.

Megjithatë, ai thekson se mandati i tij ligjor nuk e lejon ndërhyrjen në çështjet apo procedurat gjyqësore që zhvillohen para Dhomave të Specializuara, përveç rasteve kur bëhet fjalë për vonesa të paarsyeshme.

Sipas Behramit, pavarësia gjyqësore nuk nënkupton përjashtim nga llogaridhënia institucionale, teksa raportimi para Kuvendit nuk është ndërhyrje në proceset gjyqësore.

“Ironia është se vetë Pietro Spera, më 4 prill 2006, ishte pjesë e trupit gjykues të apelit në Bosnjë dhe Hercegovinë në rastin Maktouf. Më 18 korrik 2013, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg konstatoi njëzëri shkeljen e nenit 7 të Konventës Evropiane. Pas këtij aktgjykimi u miratua rigjykimi i çështjes.

Pra, vetë përvoja gjyqësore e Sperës dëshmon se panelet gjyqësore nuk janë garantues të pagabueshëm të të drejtave të njeriut” shkroi Behrami.

Nga ana tjetër, Spera, duke iu referuar statusit procedural të rasteve të përmendura në ftesë, rikujton se në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, afati për paraqitjen e njoftimeve për apelim para Panelit të Gjykatës së Apelit përfundon më 27 nëntor 2026.

Sipas Sperës, në rastin “Thaçi dhe të tjerët” dhe atë të Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive Themelore.

Ai thekson se roli i Ombudspersonit është plotësues ndaj gjykatave dhe jo zëvendësues i tyre, duke pasur kompetenca për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për të promovuar mbrojtjen e tyre, përfshirë çështjet që lidhen me funksionimin administrativ të sistemit gjyqësor.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.