Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka reaguar pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se ai personalisht kishte rezerva për arritjen e një marrëveshjeje me presidentin amerikan, Donald Trump.
Në një deklaratë drejtuar popullit iranian, Khamenei tha se “në parim” nuk ishte dakord me nënshkrimin e marrëveshjes me Trumpin, të cilin e akuzoi se kishte përdorur “të gjitha llojet e mjeteve nga dëshpërimi” për të arritur këtë rezultat.
Megjithatë, ai bëri të ditur se i dha leje procesit pasi presidenti iranian, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, i kishte dhënë garanci se do të mbronte interesat e Iranit dhe do të merrte përgjegjësinë për marrëveshjen.
“Unë kisha një mendim tjetër, por për shkak të zotimit të presidentit dhe deklaratës së tij se do të merrte përgjegjësinë, dhashë lejen”, u shpreh Khamenei, shkruan skynews.
Ai shtoi se nëse pala amerikane tenton të tejkalojë kufijtë e marrëveshjes, përgjegjësia nuk do të bjerë mbi Iranin. Sipas tij, tani pritet zbatimi i kushteve të përcaktuara në memorandum.
Khamenei theksoi gjithashtu se negociatat e ardhshme mes dy vendeve nuk do të nënkuptojnë pranimin e qëndrimeve amerikane.
“Negociatat ballë për ballë që do të zhvillohen në të ardhmen nuk do të nënkuptojnë pranimin e pikëpamjes së armikut”, tha ai.
Deklarata vjen pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe SHBA-së, i cili synon hapjen e një faze të re dialogu mes dy vendeve. /Telegrafi/
