Irani mohoi përgjegjësinë për sulmet me dronë në Kuvajt, të cilat shkaktuan vdekjen e dy shtetasve italianë. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, i quajti akuzat të pabaza dhe propozoi kryerjen e një hetimi të përbashkët me Romën dhe Kuvajtin.
Araghchi zhvilloi biseda telefonike me homologët e tij nga Kuvajti dhe Italia, Sheikun Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah dhe Antonio Tajanin. Më vonë, ai shkroi në platformën X se incidenti ishte "i dyshimtë dhe duket si një skenar i përgatitur paraprakisht për luftë".
"Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Kuvajtin dhe Italinë për të përcaktuar shkakun e incidentit," shtoi ai, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.
Më herët, Tajani kishte deklaruar në Senatin italian se disa dronë iranianë goditën objekte ushtarake kuvajtiane rreth orës 14:00 me orën lokale (12:00 CET). Mes objekteve të goditura ishte edhe një qendër radari për mbrojtjen ajrore, ku po punonin dy specialistë italianë të punësuar nga kompania e armatimeve "Rheinmetall".

