Aktori Armie Hammer ka folur së fundmi për polemikat që në vitin 2021 i ndërprenë karrierën në Hollywood, përfshirë akuzat e rënda për përdhunim dhe abuzim, të cilat ai vazhdon t’i mohojë.
Në një intervistë të re, aktori 39-vjeçar, i njohur për rolin e tij në filmin “Call Me by Your Name” (“Më thirr me emrin tënd”), pranoi se ka pasur përgjegjësi personale për situatën që çoi në rrënimin e imazhit të tij publik.
“I krijova vetë këto probleme. Nuk më ndodhën rastësisht”, tha Hammer për revistën People. “Nuk kam bërë ato gjëra për të cilat më akuzojnë njerëzit. Por lejova persona shumë të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm në jetën time, zemërova njerëzit përreth meje dhe ja ku jemi sot”.
Karriera e Hammer mori një goditje të fortë në janar të vitit 2021, pasi në publik dolën mesazhe private që përmbanin përshkrime të fantazive BDSM dhe kanibaliste. Pak kohë më vonë, me akuza të ngjashme doli publikisht edhe ish-e dashura e tij, Courtney Vucekovich.
Pas shpërthimit të skandalit, Hammer u largua nga disa projekte të mëdha filmike, përfshirë filmin “Shotgun Wedding” me Jennifer Lopez dhe serialin “The Offer”, i cili trajton historinë e realizimit të filmit legjendar “The Godfather”.
Një muaj më vonë, edhe agjencia e tij prestigjioze e menaxhimit, William Morris Endeavor (WME), ndërpreu bashkëpunimin me të.
Në atë kohë, aktori deklaroi se nuk do t’u përgjigjej “pretendimeve absurde”, por shtoi se, për shkak të sulmeve që i konsideronte të rreme dhe dashakeqe në internet, nuk mund të largohej për katër muaj nga fëmijët e tij për të xhiruar një film në Republikën Domenikane.
Në mars të po atij viti, Effie Angelova – gruaja mesazhet e së cilës ishin publikuar fillimisht – e akuzoi Hammer për abuzim fizik dhe sulm seksual, duke pretenduar se ai e kishte përdhunuar në vitin 2017.
Avokati i aktorit, Andrew Brettler, i mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë “plotësisht konsensuale, e dakorduar paraprakisht dhe me pjesëmarrjen e të dyja palëve”.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar, polemikat vazhdojnë të ndjekin Armie Hammerin, ndërsa aktori po përpiqet gradualisht të rikthehet në jetën publike dhe në industrinë e filmit. /Telegrafi/
