Ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, ka konfirmuar zyrtarisht datat e turneut të saj veror për vitin 2026, duke zbuluar festivalet dhe qytetet ku do të performojë gjatë muajve të ardhshëm.
Këngëtarja ndau me ndjekësit në Instagram një fotografi me kalendarin e koncerteve të saj, ndërsa në përshkrim shkroi: “Summer 2026 I’m so ready for you”, duke shprehur entuziazmin për sezonin e ngarkuar që e pret.
Mes datave të publikuara, vëmendje të veçantë për fansat shqiptarë ka tërhequr konfirmimi i koncertit të saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, i cili do të mbahet më 1 gusht në kuadër të “Ohrid Summer Festival”.
Ky do të jetë një nga destinacionet më të afërta me Kosovën ku Rita Ora do të performojë gjatë këtij viti, duke u dhënë mundësi mijëra adhuruesve të saj nga Kosova dhe rajoni që ta ndjekin nga afër në skenë.
Sipas organizatorëve, koncerti do të mbahet në stadiumin “Biljanini Izvori” dhe pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të verës në Maqedoninë e Veriut.
“Një ikonë globale e muzikës dhe modës, një artiste me miliarda dëgjime, njohje të shumta botërore dhe koncerte në skenat më të mëdha të botës. Këtë verë, ajo zgjodhi Ohrin. Dhe ajo natë do të mbajë firmën e saj”, kanë deklaruar organizatorët.
Rita Ora vazhdon të mbetet një nga artistet shqiptare më të suksesshme në arenën ndërkombëtare, me një karrierë të ndërtuar përmes hiteve globale, bashkëpunimeve me emra të mëdhenj të industrisë muzikore dhe performancave në disa prej festivaleve më prestigjioze në botë.
Përveç koncertit në Ohër, artistja do të performojë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Austri, Finlandë, Hungari, Rumani dhe Poloni.
Turneu i saj veror nis më 20 qershor në Isle of Wight Festival në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të përfundojë më 14 gusht në Bittersweet Festival në Poloni.
Ndërkohë, biletat për koncertin në Ohër tashmë janë në shitje, me çmime që variojnë nga rreth 28 deri në 36 euro. Organizatorët kanë bërë të ditur se interesimi është i madh dhe kanë rekomanduar që fansat t’i sigurojnë biletat sa më herët për të mos humbur mundësinë e pjesëmarrjes në këtë spektakël veror. Biletat mund t’i bleni duke klikuar në këtë LINK.
Koncerti i 1 gushtit pritet të mbledhë fansa nga e gjithë Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, duke e kthyer Ohrin në një nga destinacionet kryesore muzikore të kësaj vere. /Telegrafi/
