Fitorja e vështirë ndaj Talaverës, në vend që të sillte qetësi, ka thelluar edhe më shumë dyshimet rreth punës së Xabi Alonsos në stolin e Real Madridit.
Pavarësisht kualifikimit në 1/16 e finales së Kupës së Mbretit, në radhët e klubit madrilen mbizotëron bindja se skuadra vazhdon të mos ketë një identitet të qartë loje dhe po avancon pa një vizion të konsoliduar.
Në përballjen e fundit, Real Madridi arriti të mposhtë ekipin modest të Talaverës vetëm falë një penalltie të diskutueshme dhe pritjeve vendimtare të portierit Andriy Lunin.
Loja e zhvilluar nga “Los Blancos” u cilësua e varfër dhe pa ritëm, ndërsa ekipi i drejtuar nga Alejandro Sandroni shfaqi guxim dhe organizim, duke e vënë disa herë në vështirësi gjigantin spanjoll.
Sipas burimeve pranë klubit dhe analizave mediatike, kjo fitore nuk ka bërë gjë tjetër veçse të ulë më tej kredibilitetin e trajnerit bask.
Drejtuesit e Real Madridit mendojnë se ekipi po ecën vazhdimisht mbi një ekuilibër të brishtë dhe se fitoret minimale ndaj kundërshtarëve inferiorë vetëm sa nxjerrin në pah dobësitë e projektit sportiv aktual.
Në këtë kontekst, ndeshja e ardhshme ndaj Sevillës shihet si një tjetër test vendimtar për Alonson.
Një rezultat negativ mund të ketë pasoja të rënda, veçanërisht duke marrë parasysh se madrilenët ndodhen katër pikë pas Barcelonës në renditjen e La Ligës dhe çdo gabim i ri mund ta thellojë diferencën në një moment delikat të sezonit.
Përballjet me Atletico Madridin, Barcelonën dhe Athletic Clubin konsiderohen vendimtare për të ardhmen e trajnerit, pasi vetëm paraqitje bindëse dhe rezultate pozitive mund t’i garantojnë Xabi Alonsos mbështetje të plotë deri në fund të sezonit. /Telegrafi/