Carlo Ancelotti ka konfirmuar se Neymar do ta humbasë ndeshjen e parë të Brazilit në Kupën e Botës 2026, por shpreson që sulmuesi të rikthehet gjatë fazës së grupeve.
Brazili e nis rrugëtimin e tij në turne të shtunën me përballjen ndaj Marokut në stadiumin MetLife, në kuadër të Grupit C.
Neymar ishte në dyshim për ndeshjen hapëse pasi pësoi një lëndim në pulpë pak para fillimit të turneut, ndërsa tani është konfirmuar se ai nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj marokenëve.
Megjithatë, trajneri italian pret që ylli brazilian të rikthehet për ndeshjet e mbetura të grupit kundër Haitit dhe Skocisë.
“Ai po punon shumë për t’u rikthyer në formë sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresojmë që javën e ardhshme të kthehet në stërvitje të plota”.
Për Ancelottin, kjo do të jetë Kupa e parë e Botës si trajner i Brazilit, duke u bërë kështu trajneri i parë jo-brazilian që drejton Selecaon në një Botëror.
Brazili dhe Maroku do të përballen për herë të dytë në historinë e Kupës së Botës. Takimi i vetëm i mëparshëm mes tyre përfundoi me fitore 3-0 të brazilianëve në fazën e grupeve të Botërorit 1998, ndeshje në të cilën Ronaldo Nazario dhe Rivaldo shënuan golat e tyre të parë në një Kupë Bote.
Brazili ka fituar shtatë nga tetë ndeshjet e tij në Botëror ndaj kombëtareve afrikane, me humbjen e vetme që erdhi ndaj Kamerunit në vitin 2022.
Ancelotti beson se skuadra e tij është e gatshme të rivalizojë me këdo në turne.
“Kjo është një skuadër që mund të garojë me këdo. Mund të përballemi me çdo ekip. Kemi cilësi teknike dhe përvojë dhe jemi absolutisht të bindur se mund të rivalizojmë me këdo.
“Kemi një ndjenjë shumë të mirë për këtë Kupë Bote. Jemi gati dhe të përgatitur. Në këtë moment nuk ka favorit të qartë për ta fituar turneun. Ka disa skuadra që do të kenë mundësinë të luftojnë deri në fund”, përfundoi Ancelotti./Telegrafi/
