Wayne Rooney beson se Anglia është një nga tre favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës, ndërsa parashikon edhe një finale mes “Tre Luanëve” dhe Spanjës.
Ish-kapiteni i Anglisë vlerësoi skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel si një nga pretendentet më serioze për trofeun, pas disa paraqitjeve të forta në turnetë e fundit të mëdhenj.
Nën drejtimin e Gareth Southgate, Anglia arriti në dy finale radhazi të Kampionatit Evropian, duke humbur ndaj Italisë në vitin 2021 pas penalltive dhe ndaj Spanjës në finalen e Euro 2024. Gjithashtu, anglezët arritën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018 dhe në çerekfinale katër vjet më vonë.
Rooney beson se këtë herë Anglia mund të shkojë deri në fund.
“Mendoj se duhet të shikosh Spanjën, Francën dhe Anglinë. Besoj se ato janë favoritët kryesorë për këtë Kupë Bote.
“Mendoj se Anglia dhe Spanja do të luajnë në finale dhe shpresoj që Anglia ta fitojë”, deklaroi Rooney për BBC Sport.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim. Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Chelseat, Olivier Giroud, nuk e konsideron Anglinë mes dy skuadrave më të forta të turneut.
“Për mua dy ekipet më të forta janë Franca dhe Spanja. Por a do të përballen në finale apo më herët? Kjo është pyetja.
“Një nga kombëtaret afrikane mund të jetë surpriza e turneut. Ndoshta Bregu i Fildishtë, Senegali ose Gana – të gjitha janë skuadra të rrezikshme në ditën e tyre”, u shpreh Giroud.
Anglia do ta nisë aventurën në Kupën e Botës me ndeshjen kundër Kroacisë të mërkurën mbrëma, ndërsa më pas do të përballet me Ganën dhe Panamanë në fazën e grupeve./Telegrafi/
