Ndërsa miliona tifozë në mbarë botën po përgatiten për Kampionatin Botëror 2026 dhe ndjekin me vëmendje çdo lëvizje të yjeve më të mëdhenj të futbollit, po aq interes vazhdojnë të zgjojnë edhe partneret e tyre.
Të njohura si WAGs (wives and girlfriends – bashkëshorte dhe të dashura të futbollistëve), shumë prej tyre sot janë figura të suksesshme në biznes, modë, muzikë, media dhe rrjetet sociale. Mbështetja e tyre nga tribunat dhe prania e vazhdueshme në publik janë bërë pjesë e pandashme e spektaklit futbollistik.
Georgina Rodríguez dhe Cristiano Ronaldo
Partnerja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodríguez, konsiderohet ndoshta WAG-u më i famshëm në botë. Historia e tyre nisi në vitin 2016, kur Georgina punonte në një dyqan të markës Gucci në Madrid. Sot ajo është një sipërmarrëse, modele dhe influencuese me famë ndërkombëtare, ndërsa publiku e njeh edhe nga reality show i saj në Netflix, “I Am Georgina”.
Antonela Roccuzzo dhe Lionel Messi
Historia e dashurisë mes Lionel Messit dhe Antonela Roccuzzos filloi shumë vite përpara se argjentinasi të bëhej një nga futbollistët më të mëdhenj në histori. Të dy njihen që nga fëmijëria në Rosario të Argjentinës. Çifti u martua në vitin 2017 dhe kanë tre djem. Antonela është sot një influencuese e suksesshme dhe ambasadore e shumë projekteve të modës dhe bamirësisë, duke qenë një nga gratë më të ndjekura në Amerikën Latine.
Vanja Modrić dhe Luka Modrić
Edhe pse rrallë shfaqet në publik, Vanja Modrić konsiderohet personi më i rëndësishëm dhe mbështetësja më e madhe në jetën e kapitenit kroat Luka Modrić. Ata u njohën në kohën kur Vanja punonte në agjencinë sportive Mamić Sport, ndërsa u martuan në vitin 2010. Ajo ka qenë pranë tij gjatë gjithë karrierës, nga Dinamo Zagrebi dhe Tottenhami deri te sukseset me Real Madridin. Çifti ka tre fëmijë dhe njihet për ruajtjen e privatësisë larg mediave.
Isabel Haugseng Johansen dhe Erling Haaland
Ndryshe nga shumë partnere të futbollistëve, norvegjezja Isabel Haugseng Johansen nuk ka ndërtuar famën e saj përmes rrjeteve sociale. Ajo dhe Erling Haaland njihen që nga fëmijëria, kur stërviteshin së bashku në akademinë e klubit Bryne. Lidhja e tyre u bë publike vetëm pasi Haaland arriti famën botërore. Në vitin 2024, çifti u bë prind për herë të parë.
Michele Lacroix dhe Kevin De Bruyne
Michele Lacroix, bashkëshortja e mesfushorit belg Kevin De Bruyne, është shumë aktive në rrjetet sociale dhe shpesh e shoqëron futbollistin në turne dhe gara të mëdha ndërkombëtare. Ata u martuan në vitin 2017 dhe janë prindër të tre fëmijëve.
Erika Choperena dhe Antoine Griezmann
Bashkëshortja e reprezentuesit francez Antoine Griezmann, Erika Choperena, është psikologe për fëmijë me profesion. Ata janë bashkë prej më shumë se një dekade dhe u martuan në vitin 2017. Edhe pse herë pas here bashkëpunon me marka të modës, Erika është e njohur për faktin se e mban jetën private larg vëmendjes mediatike.
Rike Nooitgedagt dhe Virgil van Dijk
Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, dhe bashkëshortja e tij Rike Nooitgedagt janë bashkë që nga adoleshenca. Rike ka punuar dikur në industrinë e modës, por më vonë vendosi të largohej nga puna për të ndjekur bashkëshortin në rrugëtimin e tij profesional. Sot ajo konsiderohet një nga partneret më diskrete të futbollistëve dhe rrallëherë shfaqet në publik.
Katie Goodland dhe Harry Kane
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, është i martuar me dashurinë e tij të shkollës, Katie Goodland. Historia e tyre e dashurisë zgjat prej më shumë se 20 vitesh dhe shpesh përmendet nga mediat britanike si një nga marrëdhëniet më stabile në botën e sportit.
Oriana Sabatini dhe Paulo Dybala
Partnerja e futbollistit argjentinas Paulo Dybala, Oriana Sabatini, është një yll më vete. Ajo është këngëtare, aktore dhe modele e njohur në Amerikën Latine, ku gëzon popullaritet të madh prej vitesh. Falë karrierës së saj, Oriana shpesh tërheq po aq vëmendje mediatike sa edhe vetë Dybala.
Tini Stoessel dhe Rodrigo De Paul
Këngëtarja argjentinase Tini Stoessel, një nga artistet më të njohura në Amerikën Latine, ka qenë në një lidhje me mesfushorin Rodrigo De Paul. Me miliona fansa në mbarë botën, Tini është një nga partneret e futbollistëve që ka arritur famë globale falë suksesit të saj në muzikë dhe jo për shkak të lidhjes me sportistët.
Mina Bonino dhe Federico Valverde
Mesfushori uruguaian Federico Valverde është prej vitesh në një lidhje me gazetaren sportive argjentinase Mina Bonino. Marrëdhënia e tyre ka qenë shpesh në fokus të mediave, pasi Mina ishte një figurë e njohur televizive shumë kohë përpara se të njihej me yllin e Real Madridit.
Kanë kaluar kohët kur partneret e futbollistëve njiheshin vetëm për shkak të lidhjeve të tyre romantike. Sot, mes tyre ka sipërmarrëse, psikologe, gazetare, këngëtare, modele dhe influencuese që kanë ndërtuar karrierat e tyre të suksesshme dhe tërheqin miliona ndjekës në mbarë botën.
Dhe ndërsa sytë e botës do të jenë të drejtuar drejt emrave si Kylian Mbappé, Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Luka Modrić dhe Erling Haaland gjatë Botërorit 2026, nuk ka dyshim se vëmendje të madhe do të marrin edhe gratë që i mbështesin nga tribunat e skenës më të madhe të futbollit botëror. /Telegrafi/
