Një incident i rëndë është regjistruar në stacionin hekurudhor në qytetin Sumy të Ukrainës, ku një dron rus ka rënë mbi platformë në momentin kur pasagjerët po përgatiteshin të hipnin në një tren.
Sipas autoriteteve lokale dhe raportimeve të para nga terreni, droni ka goditur zonën e stacionit në një kohë të ngarkuar me qytetarë, duke shkaktuar panik dhe kaos mes udhëtarëve.
Si pasojë e shpërthimit, katër persona janë plagosur. Nuk janë bërë ende të ditura detaje për gjendjen e tyre shëndetësore, por ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë dhe të lënduarit janë transportuar për trajtim.
Shërbimet emergjente, përfshirë zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit, kanë mbërritur në vendngjarje pak minuta pas incidentit për të siguruar zonën dhe për të ndihmuar të plagosurit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e rënies së dronit dhe nëse bëhet fjalë për sulm të drejtpërdrejtë apo incident teknik.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin ushtarak të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/
