Shkenca tregon se nuk ka vetëm një mënyrë “të drejtë” për të përjetuar kulmin seksual, sepse trupi femëror reagon ndryshe ndaj stimulimeve të ndryshme
Orgazma femërore për një kohë të gjatë ka qenë temë diskutimesh të shumta, ndërsa sot shkenca po tregon gjithnjë e më qartë se nuk ekziston vetëm një mënyrë e vetme dhe “e saktë” për ta përjetuar kulmin seksual.
Trupi femëror mund të reagojë ndaj llojeve të ndryshme të stimulimit, ndërsa intensiteti i orgazmës shpesh varet nga kombinimi i lidhjes fizike dhe emocionale, ndjenja e sigurisë, relaksimi dhe njohja e trupit.
Orgazma klitoriale, forma më e shpeshtë e kënaqësisë
Ekspertët theksojnë se orgazma klitoriale është më e shpeshta dhe, për shumë gra, më lehtë e arritshme. Klitorisi është jashtëzakonisht i ndjeshëm, sepse përmban një numër të madh mbaresash nervore. Për këtë arsye, stimulimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i kësaj zone te shumica e grave mund të çojë në orgazmë.
Ky lloj orgazme shpesh është edhe përvoja e parë e kulmit seksual te gratë dhe shërben si bazë për njohjen më të mirë të reagimit të tyre seksual.
Orgazma vagjinale dhe roli i pikës G
Një formë tjetër është orgazma vagjinale, e cila lidhet me stimulimin e pjesëve të brendshme të vagjinës, sidomos të zonës që shpesh quhet pika G. Te disa gra, pikërisht ky lloj stimulimi mund të shkaktojë një ndjenjë shumë të fuqishme kënaqësie, ndonëse shkencëtarët ende diskutojnë për rolin e saktë dhe ekzistencën e saj si strukturë e veçantë, transmeton Telegrafi.
Orgazma e kombinuar, kulmi më intensiv
Si më intensive shpesh përmendet orgazma e kombinuar, e njohur edhe si orgazmë e përzier. Ajo ndodh kur njëkohësisht stimulohet klitorisi dhe zona vagjinale.
Për shkak të stimulimit paralel të disa zonave erogjene, rritet qarkullimi i gjakut dhe aktiviteti nervor, gjë që mund të rezultojë me orgazmë më të fortë, më të thellë dhe më të gjatë sesa gjatë stimulimit të vetëm një zone. Pikërisht për këtë arsye, shumë ekspertë e përshkruajnë si një nga format më të plota të kënaqësisë femërore.
A mund të arrihet orgazma “më e mirë”?
Është e rëndësishme të theksohet se nuk ekziston një orgazmë universalisht “më e mirë”. Çdo grua e përjeton kënaqësinë seksuale në mënyrë të ndryshme, ndërsa ajo që për një person është shumë intensive, për një tjetër mund të jetë më pak e theksuar.
Faktorët kryesorë që mund të ndihmojnë në arritjen e një orgazme më të fuqishme janë relaksimi, ndjenja e sigurisë, komunikimi i mirë me partnerin, njohja e trupit, si dhe koha e mjaftueshme për afërsi dhe paralojë.
Orgazma e kombinuar shpesh konsiderohet më intensive, por kjo nuk do të thotë se ajo duhet të jetë qëllim për çdo grua. Kënaqësia seksuale është përvojë individuale dhe më e rëndësishmja është të zbulohet çfarë i përshtatet më së shumti trupit, pa presion dhe pa krahasime. /Telegrafi/
