Llapi ka triumfuar me rezultat 2-0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ndaj Dinamos së Ferizajt në ndeshjen e barazhit.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e paralajmëroi herët rrezikun, kur fillimisht goditi transversalen. Qendërmbrojtësi Landrit Rama ishte pranë golit pas një goditjeje me kokë, por topi u ndal në traversë.
Dominimi i llapjanëve u konkretizua në minutën e 11-të. Arianit Hasani depërtoi në zonë nga krahu i djathtë dhe harkoi, ndërsa topin e devijuar në zonë e shfrytëzoi Fiton Ademi, i cili nga afërsia e dërgoi në rrjetë për 1-0.
Llapi vazhdoi me ritëm të lartë dhe arriti ta dyfishojë epërsinë në minutën e 23-të.
Një aksion nga krahu i majtë përfundoi me penallti për vendasit, pasi mbrojtësi i majtë Arbër Bytyqi u ndal në zonë në mënyrë të palejuar nga qendërmbrojtësi Ardian Shaljani.
Nga pika e bardhë ishte i saktë Muhamet Hyseni, i cili realizoi për 2-0, duke shënuar golin e tij të 11-të të edicionit.
Deri në përfundim të pjesës së parë, të dyja skuadrat kërkuan penallti për prekje të topit me dorë brenda zonës, por sipas gjyqtarit Shala nuk kishte elemente të parregullta.
Në pjesën e dytë pavarësisht disa tentimeve të Dinamos, ata nuk ia dolën të gjejnë golin që do t’i rikthente në lojë, kështu që Llapi mori fitoren që u siguroi atyre mbetjen në elitën e futbollit kosovar./Telegrafi/
