Kandidati i LDK-së për deputet, Riza Krasniqi (105), ka shpjeguar arsyet që e shtynë të hyjë në politikë pas një jete të tërë të kaluar në arsim, veprimtari qytetare dhe angazhim për çështje kombëtare.
Në një intervistë në emisionin Rubikon, Krasniqi tha se i përket brezit që u rrit me ëndrrën për ta parë Kosovën të lirë dhe të pavarur, duke besuar se pas çlirimit dhe pavarësisë, përgjegjësinë për ndërtimin e shtetit do ta merrnin njerëzit më të përgatitur dhe më të përgjegjshëm.
Megjithatë, sipas tij, zhgënjimet me politikën nuk duhet t’i largojnë qytetarët nga përgjegjësia për të kontribuar për vendin.
“Papërgjegjësia e askujt nuk na liron nga përgjegjësia jonë për të luftuar për fatin e kombit tonë”, u shpreh ai gjatë intervistës.
Krasniqi tha se përvoja e tij shumëvjeçare jashtë politikës i ka treguar se edhe projektet që kanë për qëllim ruajtjen e kujtesës historike dhe trashëgimisë kombëtare shpesh mbesin të parealizuara pa mbështetje institucionale dhe pa vullnet politik.
Si shembull, ai përmendi përpjekjet shumëvjeçare për realizimin e monumentit të Anton Çettës, një proces që, sipas tij, mori afro një dekadë për t’u përfunduar.
Sipas Krasniqit, vendimi për të kandiduar nuk lidhet me një karrierë politike personale, por me dëshirën për të shtyrë përpara projekte konkrete që i konsideron të rëndësishme për Kosovën.
Ai renditi tri objektiva kryesore që synon t’i ndjekë nëse merr besimin e qytetarëve:
- Ruajtjen e kujtesës dhe nderimin e kontributit të veprimtarëve të viteve ’90, mësuesve të asaj kohe, luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës;
- Mbështetjen e projekteve që forcojnë identitetin dhe trashëgiminë kombëtare;
- Krijimin e kushteve që të rinjtë të zgjedhin ta ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre në Kosovë.
“Dua të ndërtojmë një Kosovë ku të rinjtë tanë jo vetëm lindin, por edhe zgjedhin të jetojnë, të punojnë dhe të krijojnë familjet e tyre”, tha ai.
Riza Krasniqi garon në zgjedhjet e 7 qershorit si kandidat për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me numrin 105.
