Kupa e Botës që do të zhvillohet së shpejti pritet të sjellë risi të shumta teknologjike, ndërsa njëra nga më interesantet është përdorimi i dronëve, të cilët mund të luajnë rol kyç në shpëtimin e jetës së tifozëve në stadiume.
Konkretisht, organizatorët planifikojnë të përdorin dronë të specializuar si një lloj “ekipi reagimi të parë”, të aftë të dërgojnë me shpejtësi pajisje mjekësore tek personat në nevojë në raste emergjence.
Këta dronë do të vendosen në pika të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, dhe do të transportojnë pajisje si defibrilatorë, EpiPen, komplete të ndihmës së shpejtë, si dhe radio për komunikim me personelin mjekësor.
Një nga përparësitë kryesore të kësaj teknologjie është mundësia që dronët të zbresin shpejt në vende të paracaktuara brenda stadiumit, duke ulur ndjeshëm kohën e reagimit në situata kritike.
Vitet e fundit janë shtuar ndërprerjet e ndeshjeve për shkak të problemeve shëndetësore të tifozëve në tribuna, ndërsa synimi i kësaj zgjidhjeje është ndërhyrja sa më e shpejtë mjekësore dhe zvogëlimi i rrezikut për pasoja të rënda te personat vulnerabël.
Kompania Motorola Solutions do të jetë përgjegjëse për sistemin e sigurisë, i cili do të përdorë dronë të quajtur Guardian. Këto pajisje mund të mbajnë një ngarkesë deri në 4.5 kilogramë, e cila konsiderohet e mjaftueshme për të transportuar pajisjet më të rëndësishme mjekësore edhe në zona të vështira për t’u arritur.
Përveç ndihmës mjekësore, organizatorët do të përdorin edhe sisteme të përparuara për t’u mbrojtur nga dronë të paautorizuar. Në bashkëpunim me kompaninë SkySafe, hapësira ajrore përreth stadiumeve dhe qendrave stërvitore do të monitorohet për të parandaluar hyrjen e pajisjeve të panjohura.
Sipas planit, teknologjia do të mundësojë bllokimin e komunikimit midis dronit dhe operatorit, “mashtrimin” e GPS-it për ta devijuar pajisjen në një vendndodhje të rreme, si dhe përdorimin e rrjetave speciale që dronët “miqësorë” mund t’i lëshojnë për të çaktivizuar pajisjet e paautorizuara.
Kështu, Kupa e Botës nuk pritet të jetë vetëm festë e futbollit, por edhe një demonstrim i teknologjive moderne, të cilat mund të shndërrohen në standard për ngjarjet e mëdha sportive në të ardhmen. /Telegrafi/
