Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur këtë të martë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Zyra e Presidencës ka bërë me dije se gjatë këtij takimi u vlerësua progresi i spikatur i vendit tonë në procesin e negociatave, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.
Ndërkohë, presidenti Begaj i përcolli bashkëbiseduesit vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur agjendën dhe objektivat me synim mbylljen e grupkapitujve të negociatave brenda vitit 2027.
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh kreu i Shtetit.
“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, deklaroi Begaj duke falënderuar Presidentin Costa për prioritizimin e procesit të zgjerimit të BE- së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”, përfundoi ai.
