Komuniteti i motoristëve u mblodh sot në një aktivitet që solli më shumë se adrenalinë në rrugë, me fokus të veçantë te vetëdijesimi për sigurinë dhe rëndësia e përdorimit të pajisjeve mbrojtëse.
Në qendër të mesazhit ishte përdorimi i helmetës dhe veshjes adekuate, si elemente kyçe për të ulur rrezikun e lëndimeve serioze në rast aksidenti.
Pjesëmarrësit u ndalën edhe te EXFIS, kompania e njohur e derivateve në Kosovë, e cila shërbeu si pikëtakim për furnizim dhe organizim para vazhdimit të rrugëtimit.
Njëri nga organizatorët, Edon Daci, theksoi se qëllimi kryesor i mitingut ishte sensibilizimi i motoristëve për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse, veçanërisht helmetës, duke e cilësuar atë si mbrojtjen më të rëndësishme për shkak të numrit të madh të aksidenteve që ndodhin çdo ditë.
Ai rikujtoi se motoçiklistët janë më të ekspozuar sesa drejtuesit e automjeteve, pasi lëvizin “në dy rrota”, dhe për këtë arsye rreziku për pasoja të rënda është më i lartë.
Daci u bëri thirrje motoristëve të shijojnë vozitjen, por pa e neglizhuar kujdesin: të ruajnë veten dhe të mos e rrezikojnë jetën, duke theksuar se pasojat e aksidenteve mund të jenë serioze.
Ai falënderoi Policinë e Kosovës për mundësimin e mbajtjes së mitingut, si dhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen. Po ashtu, falënderoi edhe EXFIS-in për mikpritjen dhe furnizimin, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan aktivitetit. /Telegrafi/
