Ekspertët paralajmërojnë se bimët e papërshtatshme mund të rrisin amoniakun, të nxisin algat dhe ta rrezikojnë shëndetin e peshqve, edhe pse në fillim duken krejt normale
Një nga pjesët më të rëndësishme të akuariumit janë bimët, sepse ato nuk ndikojnë vetëm në pamjen estetike, por edhe në cilësinë e ujit, sasinë e oksigjenit dhe sjelljen e peshqve. Megjithatë, pikërisht për shkak të popullaritetit, shumë bimë që shiten si “për akuarium” në të vërtetë nuk janë të përshtatura për jetën nën ujë.
Në shikim të parë ato duken të shëndetshme dhe dekorative, por pas disa javësh fillojnë të kalben, të shpërbëhen dhe ta prishin stabilitetin e gjithë akuariumit. Problemi lind sepse disa bimë në dyqane mbahen përkohësisht nën ujë vetëm që të duken si specie të vërteta akuaristike. Blerësit shpesh nuk mund ta vërejnë dallimin, sepse bima në fillim duket plotësisht e shëndetshme dhe vetëm pas një kohe bëhet e qartë se nuk është e përshtatur për jetë të vazhdueshme nën ujë.
Kur bimë të tilla fillojnë të shpërbëhen, problemi nuk është vetëm estetik. Kalbëzimi lëshon materie organike që rrit nivelin e amoniakut dhe e ngarkon më shumë filtrimin e ujit. Në akuariumet e vogla kjo mund ta çrregullojë shumë shpejt gjithë ekuilibrin e sistemit dhe ta rrezikojë shëndetin e peshqve.
Një nga bimët që shpesh shitet gabimisht si akuaristike është Dracaena. Edhe pse për një kohë të shkurtër mund të duket mirë nën ujë, me kalimin e kohës fillon të kalbet, sepse nuk është e përshtatur për kushte të zhytura vazhdimisht. Teksa shpërbëhet, pjesët e saj ndikojnë negativisht në cilësinë e ujit, transmeton Telegrafi.
Problem i ngjashëm ekziston edhe me specie si Ophiopogon japonicus, e njohur edhe si “mondo grass”. Kjo bimë mund të mbijetojë për një kohë në akuarium, por rrënjët dhe gjethet gradualisht fillojnë të dëmtohen nën ujë. Meqë procesi nuk është i menjëhershëm, pronarët shpesh nuk e lidhin përkeqësimin e cilësisë së ujit me bimën që duket “vetëm pak e vyshkur”.
Bimë si Fittonia dhe disa lloje të zambakëve dekorativë gjithashtu shiten për akvuriume, ndonëse në të vërtetë janë të destinuara për terrariume të lagështa ose paludariume, ku rrënjët mund të jenë në ujë, por gjethet mbeten mbi sipërfaqe. Kur zhyten plotësisht, indet e tyre fillojnë të shpërbëhen dhe bima dëmtohet.
Problem i veçantë me këto bimë është se dëmtimi nuk duket gjithmonë dramatik. Ndonjëherë gjethet vetëm bëhen transparente, zbuten ose humbin ngjyrën. Pronarët atëherë shpesh përpiqen të shtojnë më shumë pleh ose ndriçim, pa e kuptuar se problemi nuk është te kushtet, por te fakti se bima thjesht nuk është specie akuaristike.
Përveç ndikimit në përbërjen kimike të ujit, bimët e kalbura mund ta ulin edhe sasinë e oksigjenit të tretur në akuarium. Gjatë shpërbërjes, materia organike konsumon oksigjenin, gjë që i ngarkon më shumë peshqit dhe organizmat e tjerë në ujë. Në akuariumet e mirëmbajtura dobët kjo mund të çojë në frymëmarrje të shpejtuar të peshqve, plogështi dhe rritje të stresit.
Një tjetër problem është zhvillimi i algave. Bimët që shpërbëhen lëshojnë lëndë ushqyese në ujë, duke krijuar kushte ideale për përhapje të shpejtë të algave. Atëherë pronarët shpesh problemin e lidhin gabimisht me ndriçimin ose filtrin, ndërsa shkaku i vërtetë mbetet i pavërejtur.
Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha bimët që rriten pranë ujit janë automatikisht të përshtatshme për jetë nën ujë. Ekziston dallim i madh ndërmjet bimëve që tolerojnë lagështi të lartë dhe bimëve të vërteta akuaristike që mund të funksionojnë vazhdimisht të zhytura plotësisht në ujë.
Për këtë arsye, gjatë zgjedhjes së bimëve rekomandohet të kontrollohet specia e saktë dhe të mos mbështeteni vetëm te pamja ose etiketa në dyqan. Bimët që janë vërtet të destinuara për akuariume janë zhvilluar në mënyrë që nën ujë të kryejnë normalisht shkëmbimin e gazrave, rritjen dhe fotosintezën pa dëmtim të indeve.
Thelbi i problemit me bimët “e rreme” akuaristike nuk është vetëm fakti se ato nuk zgjasin shumë, por se shpërbërja e tyre mund ta destabilizojë gradualisht gjithë akuariumin. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e bimëve nuk është vetëm çështje dekorative, por pjesë shumë e rëndësishme e ruajtjes së një mjedisi të shëndetshëm dhe stabil ujor. /Telegrafi/
