Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është realizuar me sukses vendosja e protezës së parë totale të gjurit, falë furnizimit me proteza përmes Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Sipas njoftimit të spitalit, ndërhyrja kirurgjikale është kryer te një paciente e lindur në vitin 1962, nga komuna e Vushtrrisë, së cilës i është vendosur proteza totale në gjurin e djathtë. Gjendja shëndetësore e saj pas operacionit është e mirë dhe stabile.
Intervenimi është realizuar nga ekipi profesional mjekësor, në përbërje të mjekëve Dr. Artan Bejta, Dr. Arben Bajraktari dhe Dr. Enver Beqiri, me mbështetjen e ekipit të anesteziologjisë, përkatësisht Dr. Fatmir Ujkani dhe Dr. Vlora Hetemi, si dhe stafit mbështetës.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë kanë bërë të ditur se operacionet e tilla do të vazhdojnë sipas listës së pritjes së bartur nga Klinika e Ortopedisë në QKUK, për pacientët e regjionit të Mitrovicës.
Po ashtu, furnizimi me proteza nga ShSKUK do të vazhdojë, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale do të realizohen sipas planit operativ javor.
Ky intervenim shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve ortopedike në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë, duke mundësuar trajtim më të qasshëm për pacientët e këtij regjioni dhe duke kontribuar në shkurtimin e listave të pritjes. /Lajmi.net/

