Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, është shndërruar në një nga temat kryesore të diskutimit në prag të zgjedhjeve presidenciale te Real Madridi.
Kandidati Enrique Riquelme e ka vlerësuar publikisht reprezentuesin spanjoll, duke sugjeruar se ai përfaqëson pikërisht atë që gjiganti madrilen i nevojitet në mesfushë.
Riquelme ka ndezur spekulimet pasi e ka identifikuar yllin e Manchester Cityt, Rodrin, si përforcimin perfekt për “Los Blancos”.
Me zgjedhjet e klubit që pritet të mbahen më 7 qershor, biznesmeni 37-vjeçar nuk e ka fshehur admirimin për fituesin e Topit të Artë 2024, i cili mbetet një nga futbollistët më me ndikim në botë.
Në deklaratat e tij për ESPN, Riquelme e bëri të qartë dëshirën për ta parë spanjollin sërish në qytetin e tij të lindjes.
“E dua atë lojtar; është një lojtar fantastik dhe profili i futbollistit që Real Madridi duhet ta ketë dhe që duhet të luajë për klubin”, tha ai.
“Por, natyrisht, ai është në një klub tjetër dhe ne duhet ta respektojmë këtë. Rodri është tipi i lojtarit që duhet të luajë për Real Madridin. Por për këtë do të flasim pas së shtunës”.
Gara për presidencën e Real Madridit po nxehet gjithnjë e më shumë dhe Riquelme po mbështetet te tradita e vjetër e klubit për premtime të mëdha transferimesh.
Ai ka pretenduar se tashmë ka arritur marrëveshje verbale me dy figura të rëndësishme ndërkombëtare.
Edhe pse nuk e konfirmoi Rodrin si një nga këto emra, ai la një sinjal të fortë duke theksuar se një nga objektivat e tij do ta përfaqësojë Spanjën në Kupën e Botës që po vjen./Telegrafi/
