Në ditën e hapjes së fushatës së tij zgjedhore, kandidati i LDK-së me numër 105, Riza Krasniqi, ka zgjedhur të ndajë një kujtim ndryshe nga kandidatët e tjerë politikë: fotografi nga diplomimi i djalit të tij, Drin Krasniqi, në Universitetin e Harvardit, saktësisht katër vite më parë.
Harvardi konsiderohet vazhdimisht një nga universitetet më prestigjioze në botë dhe vetëm rreth 1% e studentëve ndërkombëtarë arrijnë të pranohen.
Djali i kandidatit, Drini, ishte njëri prej tyre, duke u bërë ndër studentët e parë nga shkollat e mesme të Kosovës që arriti të diplomojë në këtë universitet në nivelin bachelor.
Por kjo histori nuk ndalet vetëm te Harvardi.
Njëra nga vajzat e tij, Rina, është duke përfunduar studimet master në Slloveni, ndërsa vajza tjetër, Tringa, ka fituar dy nga bursat më prestigjioze në Kosovë — KAEF dhe Fulbright — për studime master tërësisht të financuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht një histori familjare, por dëshmi e një filozofie jetësore: besimi te arsimi si rruga më e sigurt për ngritjen e individit dhe të shtetit.
Kandidati Riza Krasniqi ka qenë profesor në Gjimnazin “Bedri Pejani” për 17 vite dhe shpesh ka folur publikisht për rëndësinë e dijes, librave dhe shkollimit. Në postimin e tij, ai e cilësoi diplomimin në Harvard si “njërën nga ditët më të lumtura të jetës”, duke theksuar se në familjen e tij arsimi ka qenë gjithmonë vlera më e rëndësishme.
Kandidati Riza Krasniqi ka deklaruar gjithashtu se babai i tij i ndjerë, Ahmet Krasniqi, kishte shitur pushkën për të blerë “Lahutën e Malcis”.
Në një kohë kur fushatat politike dominohen nga sulmet dhe premtimet e zakonshme, ky postim është parë si një mesazh ndryshe: një kujtesë se investimi më i madh për Kosovën mbetet rinia dhe edukimi i saj.
“S’jam i natyrës së sulmeve ndaj oponentëve politikë. Ne duhet të garojmë me platforma. Unë s’mund të dal nga lëkura e pajtimtarit. Angazhohem për bashkim dhe edukim të brezave të rinj. Sukseset në familjen time aspiroj t’i promovoj dhe t’i shpërndaj si mendësi. Nesër në Kuvendin e Kosovës duhet t’i kemi këto ambicie: përballjen e ideve dhe platformave edukative për rininë. Besoj fort në këtë dhe mendoj se tashmë është gjë e provuar”, thotë Krasniqi. /Telegrafi/
