Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë të ditur se po i ndjek rregullisht ndeshjet e Superligës së Kosovës, me fokus të veçantë te futbollistët e rinj që mund të jenë opsione për të ardhmen.
Në një deklarim për media, përzgjedhësi gjerman tha se në javët e fundit ka parë disa ndeshje dhe se disa lojtarë kanë tërhequr vëmendjen e tij.
“Sigurisht se i përcjell edhe ndeshjet e ligës së Kosovës. Në tri-katër ndeshjet e fundit i kam parë ndeshjet. Tre-katër lojtarë i kam përcjellë dhe më kanë rënë në sy”, deklaroi Foda.
Ai bëri të ditur se disa prej futbollistëve që po dallohen tashmë janë ftuar te Kosova U21, ndërsa theksoi se është në komunikim të vazhdueshëm me përzgjedhësin e kësaj grupmoshe për të monitoruar zhvillimin e tyre.
“Jam në kontakt me përzgjedhësin e Kosovës U21. Ai më jep informata se si janë zhvilluar ata”, tha përzgjedhësi.
Foda veçoi edhe futbollistin e Prishtinës, Rin Ahmeti, duke e cilësuar si një lojtar interesant me potencial, por duke theksuar se i duhet vazhdimësi për të bërë hapin e radhës.
“Rin Ahmeti i Prishtinës është lojtar interesant. Por ai duhet të vazhdojë tutje dhe të mos ndalet. Duhet ta kalojë hapin e grupmoshave të reja”, u shpreh ai. /Telegrafi/
