Mjekët paralajmërojnë se çdo sekondë është vendimtare gjatë goditjes në tru. Nga ushqimi e deri te transportimi me veturë private, disa veprime të zakonshme mund ta përkeqësojnë gjendjen dhe të rrezikojnë jetën e pacientit
Goditja në tru është gjendje ku çdo sekondë ka rëndësi. Reagimi i shpejtë dhe i drejtë, si edhe njohja e simptomave, mund të mundësojnë shërim të plotë, të parandalojnë invaliditetin ose edhe përfundimin fatal.
Të shohësh një person të afërt duke përjetuar goditje në tru është e vështirë dhe frikësuese, prandaj mjekët këshillojnë si duhet vepruar në një situatë të tillë, sepse disa forma ndihme jo vetëm që nuk ndihmojnë, por mund të jenë të rrezikshme për pacientin.
Akronimi FAST
Është e rëndësishme të njihen shenjat e goditjes në tru. Për këtë ndihmon akronimi FAST:
Fytyra (Face): njëra anë e fytyrës mund të jetë e varur; buzëqeshja duket asimetrike.
Krahët (Arms): dobësi ose mpirje në njërin krah; personi nuk mund t’i ngrejë njësoj të dy krahët.
Të folurit (Speech): të folur i paqartë, i ngadalësuar, vështirësi për të folur ose për të kuptuar atë që i thuhet.
Koha (Time): nëse vëreni ndonjërën nga këto shenja, menjëherë thirrni ndihmën e shpejtë.
Simptoma të tjera mund të jenë dobësi ose mpirje e papritur e fytyrës, krahut ose këmbës, zakonisht në njërën anë të trupit, konfuzion i papritur, vështirësi në të kuptuar, çrregullime të papritura të shikimit në njërin ose të dy sytë, marramendje, humbje ekuilibri ose koordinimi, si edhe dhimbje koke e fortë dhe e papritur, pa shkak të qartë.
“Gjëja më e rëndësishme është të mbani mend testin FAST, që nënkupton fytyrën, krahët, të folurit dhe kohën”, thotë Emily Hird, menaxhere për çështje publike dhe fushata në organizatën Stroke Association.
Dr. Naila Aslam, mjeke e përgjithshme, këshillon që personit për të cilin dyshohet se ka pësuar goditje në tru t’i bëhen disa pyetje të thjeshta.
“Nëse nuk jeni të sigurt nëse ka asimetri të fytyrës, kërkojini personit të buzëqeshë. Në këtë mënyrë fytyra shihet më qartë, sepse buzëqeshja aktivizon muskujt dhe e bën asimetrinë më të dukshme. Kjo është gjithashtu mënyrë e mirë për të vlerësuar gjendjen njohëse, sepse personi mund të jetë i hutuar, i çorientuar dhe të ketë vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve”, shpjegon dr. Aslam.
Po ashtu, rekomandohet që personit t’i kërkoni të ngrejë për pak çaste të dy krahët.
“Goditja në tru zakonisht prek njërën anë të trupit, prandaj pacienti e ka të vështirë t’i ngrejë të dy krahët, ndërsa asimetria është shenjë e qartë. Mund ta pyesni edhe: ‘A më kupton?’ Nëse të folurit e tij tingëllon i paqartë, thirrni ndihmën e shpejtë”, këshillon dr. Aslam, transmeton Telegrafi.
Reagoni shpejt dhe thirrni ndihmën e shpejtë
Menjëherë thirrni ndihmën e shpejtë, sepse te goditja në tru çdo sekondë është e rëndësishme, thotë Hird. Nëse vëreni ndonjë shenjë FAST, nuk duhet të prisni të shfaqen të gjitha simptomat. Duhet të telefononi menjëherë.
“Gjatë goditjes në tru, brenda një minute mund të dëmtohen deri në dy milionë qeliza të trurit. Në të njëjtën kohë, terapitë shumë efikase si tromboliza dhe trombektomia janë shumë më të suksesshme kur aplikohen sa më herët”, thekson Hird.
Përpiquni të qëndroni të qetë dhe shënoni kohën kur nisën simptomat
“Edhe pse është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, më e rëndësishmja është të qëndroni të qetë, të thirrni ndihmën e shpejtë dhe të shpjegoni çfarë po ndodh”, thotë Aslam.
Është shumë e dobishme të dihet koha kur kanë nisur simptomat, sepse kjo informatë u ndihmon mjekëve dhe ekipeve emergjente të vendosin shpejt nëse pacienti ka nevojë për terapi të caktuar, si tromboliza, e cila duhet të aplikohet brenda katër orësh e gjysmë.
Vendoseni personin në pozitë të rehatshme dhe gjysmë të ulur
“Qëndroni pranë pacientit dhe ndiqni gjendjen e tij, në mënyrë që t’i jepni të gjitha informacionet ndihmës së shpejtë. Pacienti duhet të jetë në vend të sigurt dhe të rehatshëm. Përpiquni ta vendosni në pozitë të drejtë, me kokën pak të ngritur”, këshillon Aslam, duke shtuar se duhet të përpiqeni që pacienti të mbetet zgjuar.
Mos i jepni ushqim, pije ose ilaçe
“Mos i jepni pacientit ushqim ose pije, sepse personat gjatë goditjes në tru shpesh kanë vështirësi në gëlltitje dhe ekziston rreziku i mbytjes ose aspirimit, pra hyrjes së ushqimit apo lëngjeve në rrugët e frymëmarrjes. Po ashtu, është e rëndësishme që para kontrollit mjekësor të mos i jepni pacientit asnjë ilaç, sidomos jo aspirinë”, thekson Aslam.
Mos prisni që simptomat të kalojnë
Është shumë e rëndësishme të mos prisni që simptomat të kalojnë vetë. Edhe kur duket se ato janë zhdukur dhe personi ndihet më mirë, kontrolli urgjent mjekësor është i domosdoshëm, paralajmëron Hird.
Mos e dërgoni vetë personin në spital me makinë
“Mos e vozisni vetë pacientin për në spital, sepse gjendja e tij mund të përkeqësohet dhe më pas mund të jetë e vështirë ta nxirrni nga vetura. Pacienti ka nevojë para së gjithash për ndihmë urgjente mjekësore dhe mbështetje profesionale, në mënyrë që të dërgohet në njësinë e duhur. Prandaj, gjithmonë thirrni ndihmën e shpejtë”, saktëson Aslam. /Telegrafi/
