Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtoreshën e Qendra Kulturore e Kosovës në Paris, Dr. Frédérique Duversin.
Gjatë takimit, Kurti e ka falënderuar Dr. Duversin për angazhimin e saj shumëvjeçar në promovimin e kulturës kosovare në Francë dhe për kontributin e dhënë që nga vitet ’90 në mbështetje të artistëve, studentëve dhe studiuesve kosovarë.
Në njoftim bëhet e ditur se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve kosovarë në Francë dhe hapësirën frankofone.
Po ashtu, është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm me institucione franceze si muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti, si bazë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit kulturor dhe akademik.
Në takim është theksuar rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe France, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes së promovimit të kulturës dhe artit kosovar në hapësirën frankofone./Telegrafi/
