Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar, pas rishqyrtimit, bartjen e mbi 10 milionë eurove nga buxheti i vitit 2025 në atë të vitit 2026. Vendimi u votua në një seancë të jashtëzakonshme, me 34 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime.
Seanca u thirr pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kërkoi rishqyrtim të vendimit, duke konstatuar se në mbledhjen e kaluar të 28 prillit 2026, kur ishte votuar kjo pikë, nuk kishte pasur kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje.
Në diskutim, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani, kritikoi mënyrën se si janë planifikuar mjetet e bartura, duke thënë se pjesa më e madhe e tyre po orientohen në mbulimin e obligimeve dhe shpenzimeve operative, e jo në projekte zhvillimore për qytetarët.
“Kjo është ndarje jashtëzakonisht e keqe, e cila nuk premton zhvillim, por vetëm mbushjen e zbrazëtirave financiare. Mbi 60% e këtyre mjeteve dedikohen për projekte që nuk ndikojnë fare në mirëqenien e qytetarit”, deklaroi Osmani, duke përmendur edhe ndarjen e 50 mijë eurove për ndërtimin e një sheshi në kampusin universitar.
Në anën tjetër, drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Ahmeti Makolli, tha se bartja e mjeteve është bërë në përputhje me obligimet ligjore dhe financiare të komunës.
“Sipas rregulloreve dhe ligjit, fillimisht duhet të kryhen obligimet ekzistuese përmes bartjes së mjeteve, e më pas të planifikohen projektet e reja. Nuk ka mundësi që në bartje të buxhetit të futen projekte të reja kur ka obligime të papërfunduara”, u shpreh Makolli.
Edhe asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla, e kritikoi procedimin e kësaj çështjeje, duke thënë se seanca e jashtëzakonshme u mbajt si pasojë e mosrespektimit të procedurave ligjore nga ana e pushtetit komunal.
“Ne, sot do të mund t’i kishim këto 10 milionë euro në llogari të komunës për t’i shfrytëzuar, por për shkak se nuk i keni respektuar ligjet dhe procedurat, ka ndodhur ajo që ka ndodhë”, deklaroi Sveçla, të hënën, më 25 maj 2026.
Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar edhe në prill propozim-vendimin për bartjen e këtyre mjeteve financiare, ndërsa çështja u rikthye për votim pas vlerësimit të MAPL-së për mungesë kuorumi në seancën paraprake. /Telegrafi/
