VLEN sot përmes një kumtese thonë se rasti i Artan Grubit po zvarritet dhe se për këtë nuk mund të anashkalohet as emri i prokurorit, Islam Abazit.
“Rasti i Artan Grubit po zvarritet, ndërsa qytetarët po presin përgjigje. Njeriu që për vite ishte arkiva e gjallë e BDI-së, njeriu që di ku janë firmat, pazaret, marrëveshjet dhe aferat e pushtetit të vjetër, ende nuk po përballet me epilog institucional.
Artan Grubi, bashkë me kaçakun Përparim Bajrami, dyshohet për keqpërdorime prej 8 milionë eurove në rastin “Lotaria Shtetërore”. Kjo nuk është dosje e zakonshme, por një nga dosjet më të rënda të sistemit të BDI-së, ku politika, biznesi, lotaria dhe pushteti u përzien për përfitime private.
Prandaj, pyetja që shtrohet vetvetiu është kush po e zvarrit këtë rast? Kush ka interes që Artan Grubi të heshtë? Kush po dridhet nga ajo që mund të tregojë arkiva e BDI-së?
Në këtë rast nuk mund të anashkalohet as emri i Islam Abazit. Opinioni e mban mend mirë se Artan Grubi kishte punësuar një familjare të afërt të tij, e më pas e kishte transferuar në AEK. Sot, kur rasti Grubi po ecën me hapa breshke, qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse kjo është rastësi, apo pjesë e ndonjë rrjeti që prodhon mbrojtje, heshtje dhe paprekshmëri.
VLEN kërkon përgjigje dhe veprim. Rasti Grubi nuk guxon të përfundojë në sirtar. Nuk guxon të kthehet në pazar të ri të nëntokës politike, meqë çdo zvarritje e drejtësisë dëmton besimin e qytetarëve dhe rrugën evropiane të vendit”, thonë nga VLEN./Telegrafi/
