Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë të ditur një ndryshim të rëndësishëm në politikën e emigracionit, duke kërkuar që aplikantët për “Green Card” (karta e gjelbër) të largohen nga Shtetet e Bashkuara gjatë procesit të aplikimit.
Sipas rregullit të ri të publikuar të premten nga autoritetet amerikane të emigracionit, personat që kërkojnë qëndrim të përhershëm ligjor do të duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës për të përfunduar procedurat dhe për të aplikuar për vizën përkatëse, shkruan npr.
Ky vendim pritet të ndikojë qindra mijëra emigrantë të ligjshëm që aktualisht jetojnë dhe punojnë në SHBA, pasi shumë prej tyre mund të detyrohen të lënë përkohësisht familjet, vendet e punës dhe komunitetet e tyre, deri në përfundimin e procesit që shpesh zgjat me muaj apo edhe vite.
Procedura për marrjen e kartës së gjelbër konsiderohet tashmë ndër më të gjatat dhe më komplekset në sistemin amerikan të emigracionit.
Shërbimet Amerikane të Shtetësisë dhe Imigracionit kanë deklaruar se përjashtime do të lejohen vetëm në “raste të jashtëzakonshme”. Sipas zyrtarëve, masa synon të parandalojë qëndrimin e paligjshëm në SHBA në rastet kur aplikimet për qëndrim refuzohen.
Të dhënat e Departamentit të Sigurisë Kombëtare tregojnë se rreth 1.4 milion persona kanë marrë statusin e rezidentit të përhershëm ligjor gjatë vitit fiskal 2024.
Rregulli i ri ka shkaktuar reagime të forta politike, si dhe kritika nga avokatë të emigracionit dhe ligjvënës demokratë. Kritikët argumentojnë se kjo politikë mund të ndajë familje, të dëmtojë ekonominë amerikane dhe ta bëjë SHBA-në më pak tërheqëse për profesionistë të huaj, studiues dhe ekspertë të teknologjisë.
Administrata Trump e ka vendosur emigracionin në qendër të agjendës së saj që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, duke ndërmarrë masa për kufizimin e emigracionit të paligjshëm dhe duke ashpërsuar gjithashtu disa forma të emigracionit të ligjshëm.
Ndër masat e fundit përfshihen kufizime mbi azilin, reduktim i programeve të mbrojtjes së përkohshme dhe rishikim i vizave të punës dhe studentëve. Rregulli i ri për kartat jeshile pritet të përballet me sfida ligjore në gjykata në ditët në vijim. /Telegrafi/
