Ka ndërruar jetë njëri nga gjashtë personat e lënduar pas aksidentit mes tri veturave në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë.
Sipas Policisë së Kosovës, më 18 maj 2026 rreth orës 11:50, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Doberllukë, janë përfshirë tri automjete me targa civile vendore.
Si pasojë e aksidentit, gjashtë persona kanë pësuar lëndime dhe fillimisht janë dërguar në emergjencën e spitalit në Vushtrri, ndërsa më pas janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
Njëri nga drejtuesit e automjeteve kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe rreth orës 14:00 mjeku ka konfirmuar se ai ka ndërruar jetë.
Viktima është mashkull 74-vjeçar. Trupi i pajetë, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetuesit e aksidenteve të trafikut kanë nisur hetimet dhe do të vazhdojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./Telegrafi/