Një video që qarkullon gjerësisht në mediat sociale duket se tregon një aeroplan transportues ushtarak rus, duke u copëtuar pak para se të rrëzohej në verilindje të Moskës në fillim të këtij muaji, shkruan newsweek.
Videoja e shkurtër duket se është postuar nga një llogari lokale ruse në Telegram të dielën, e cila i atribuohet kamerave të sigurisë pranë vendit të rrëzimit.
Një aeroplan transportues ushtarak An-22 i epokës sovjetike u rrëzua në një rezervuar në rajonin e Ivanovos të Rusisë më 9 dhjetor gjatë një fluturimi provë, thanë autoritetet ruse. Të gjithë ata që ishin në bord humbën jetën, thanë zyrtarët.
Media shtetërore raportoi se shtatë persona ishin në aeroplan në atë kohë. Komiteti hetimor i Rusisë tha se kishte nisur një hetim mbi përgatitjen e fluturimit, transmeton Telegrafi.
Portuali shtetëror i lajmeve RIA Novosti i Rusisë raportoi se aeroplani u rrëzua pranë vendbanimit të Ivankovos, në rajonin qendror rus. Fshati ndodhet në skajin verior të një rezervuari.
Videoja duket se tregon aeroplanin në dy pjesë vetëm pak momente para se të godiste ujin e rezervuarit. Aeroplani “u shpërbë në ajër”, raportoi gazeta ruse Kommersant më herët në dhjetor.
Sekondat e para të videos tregojnë dy pjesët e aeroplanit që bien në ujë në një zonë të mbuluar me borë dhe të largët. Uji ngrihet dukshëm në ajër ndërsa aeroplani godet sipërfaqen e rezervuarit.
Videoja më pas tregon një fragment që duket se është filmuar nga një kamerë tjetër, duke treguar aeroplanin që shkon drejt ujit mbi atë që duket të jetë një shtëpi banimi.
Një kuadër i fundit në video duket se kap aeroplanin duke rënë në pjesë të ndara ndërsa është ende në ajër.
Një kanal Telegram i lidhur me Kremlinin raportoi se aeroplani sapo kishte kryer riparime.
Hetuesit gjetën mbetjet e aeroplanit afërsisht pesë metra nën ujë dhe afërsisht 150 metra nga buza e rezervuarit, raportoi RIA Novosti. /Telegrafi/