Zv.ministrja e Transportit Kaltrina Zekolli-Shaqiri, është e ftuara e radhës në emisionin PodGo, me të cilën kemi diskutuar për rrugët Shkup – Bllacë, Tetovë – Prizren, Korridorin 8, si dhe VLEN-in në qeveri.
Ajo tha se rruga Shkup – Bllacë, është ndër rrugët më të kushtueshme në Evropë, duke thënë se për 1 kilometër janë harxhuar 27 milionë euro. Zv.ministrja tha se punimet intensive për këtë rrugë do të nisin në pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa punimet pritet të zgjasin dy vite e gjysmë.
“Kjo rrugë u zgjat shumë, pasi është rruga më e kushtueshme në Evropë, për 1 km kushton 27 milion. Jemi munduar të bëjmë projekt tjetër më të lirë, por shkaku i një kredie që kishim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhduam me projektin që është paraparë më herët. Tenderi është hapur, tani është në fazën e evaluimit. Tenderi parasheh kufijtë që i kemi planifikuar sa i përket buxhetit. Presim që punimet me intensitet të fillojnë në pranverën e ardhshme, ndërsa presim që të zgjasin dy vite e gjysmë. “Duhet të ndalim arsyetimet dhe të fillojmë me punë. Janë bërë shumë vite dhe duhet të merr fund kjo rrugë”, tha Kaltrina Zekolli – Shaqiri.
Në lidhje me rrugën Tetovë – Prizren, ajo tha se kjo rrugë ende është në fazën e projektimit, duke shtuar se është në prioritetet e saj.
“Të gjitha rrugë që janë me rëndësi të madhe për vendin, por edhe për shqiptarët, ndërsa kjo rrugë është një prej tyre. Ekziston memorandum, por nuk është se është realizuar asnjë pikë nga ai memorandum me Qeverinë e Kosovës. Komunikimi me Qeverinë e Kosovës ka qenë shumë intensiv për këtë rrugë. Është kryer detyra projektuese dhe është dorëzuar në Kosovë për miratim, pas konfirmimit nga ana e tyre është pritur miratimi nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup. Kjo rrugë është nën kompetenca të ndërmarrjes “Rrugët shtetërore”. Nga Fakulteti kanë parashtruar disa pyetje për çështje teknike, ndërsa nga ndërmarrja tani janë duke u përgjigjur. Dhe pas kësaj presim të hapet tenderimi për projektin kryesor. Kosova ka nisur punimet ndërsa çështje e tunelit është e përbashkët. Nuk mund të japim informacione të detajuara se sa do të jetë tuneli e çështje tjera”, tha zv.ministrja.
Kurse sa i përket Korridorit 8, ajo tha se punimet ecin me ritëm të mirë dhe nuk ka problematika të mëdha.
“Korridori 8 punimet ecin pa asnjë problematikë të theksuar. Kemi mbi një mijë punëtorë në terren me mbi 400 mjete për punë. Në çdo segment ka problematika të ndryshme. Nga 3500 prona, kemi shpronësuar rreth 3050, pra kanë mbetur edhe pak. Përfundimi i korridorit 8 parashihet të jetë në vitin 2029”, tha zv.ministrja.
Ndërsa sa i përket VLEN-it, ajo tha se janë bërë punë të mëdha dhe janë rrugës për të zgjedhur një lider.
“Frymojmë si një, kemi harruar si janë ndarjet partiake, shumë shpesh funksionarët që i kemi nuk e di se të cilës parti janë. Ajo që ka rëndësi e di se janë të VLEN-it dhe mund të mbështetem tek ata për punët që i kemi”, tha zv.ministrja.
Kurse në lidhje me kandidatin e tyre për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, zv.ministrja tha se VLEN-i është i hapur për të gjithë.
“VLEN-i është i hapur për të gjithë. Nevzat Bejta nuk është se njihet për diçka që tani do të pranohej me negativitet nga qytetarët. Bejta me udhëheqësinë dhe njerëzit e ri që i ka pranë vetes, mund të shfaqë performancë më të mirë”, tha mes tjerash zv.ministrja./Telegrafi/