Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës është miratuar kërkesa e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të 24 korrikut 2024, që ka të bëjë me themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se njohja dhe verifikimi i statusit të këtyre personave mbetet proces me rëndësi të veçantë institucionale e shoqërore, “në funksion të drejtësisë, dinjitetit dhe mbështetjes për të mbijetuarit”. Ai bëri të ditur se është propozuar ndryshimi i përbërjes së komisionit përmes emërtimit të përfaqësuesve të rinj nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Ndërkaq, ministri në detyrë i MPFVLÇ-së, Andin Hoti, theksoi se ndryshimet janë të domosdoshme për funksionalizimin e plotë të komisionit dhe për vazhdimësinë e trajtimit institucional të rasteve. Ai sqaroi se propozim-vendimi bazohet në nenin 8, paragrafi 1 të Ligjit nr. 04/L-172, që plotëson dhe ndryshon Ligjin 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e kategorive të mbrojtura me ligj.
Hoti tha se, meqë përfaqësuesit aktualë të deleguar nga Ministria e Drejtësisë dhe MPFVLÇ nuk janë më pjesë e këtij komisioni, është parë e nevojshme zëvendësimi i tyre me anëtarë të rinj, me qëllim të funksionalizimit të komisionit dhe vazhdimësisë në trajtimin institucional të rasteve.