Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës ka bërë të ditur se më 8 maj 2026 ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të publikuar në rrjete sociale nga profili “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut”, organizatë e shpallur terroriste nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) janë ndërmarrë menjëherë veprime intensive hetimore, me mbështetjen e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
“Është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës, duke shtuar se janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.
Po ashtu, nga analizat e njësive kompetente janë identifikuar edhe të dhëna shtesë që, sipas Policisë, mund të ndihmojnë në hetimin e mëtejshëm nga Polica e Kosovës dhe PSRK./Telegrafi/