Hiperautomobili i ri i Red Bull-it, RB17, po i afrohet fazës përfundimtare të prodhimit, ndërsa dorëzimet për klientët pritet të fillojnë vitin e ardhshëm.
Sipas informacionit të publikuar, kompania ka nisur montimin final të njësisë së parë të këtij modeli ekstrem, i cili është projektuar nga Red Bull Advanced Technologies dhe Adrian Newey, një nga emrat më të njohur në Formula 1.
RB17 është një automjet i dedikuar vetëm për pistë dhe pritet të prodhohet në një seri shumë të kufizuar prej vetëm 50 ekzemplarësh.

Ai përfaqëson kulmin e teknologjisë së Red Bullit, duke kombinuar eksperiencën e fituar në Formula 1 me zgjidhje të avancuara aerodinamike dhe inxhinierike.
Sipas programit aktual, testimet dhe zhvillimet e para në pistë pritet të fillojnë në javët në vijim, ndërsa dorëzimet për klientët do të nisin nga pranvera e vitit të ardhshëm.
Ky projekt konsiderohet si një nga më ambiciozët e Red Bullit në fushën e automobilizmit, duke synuar performancë ekstreme të ngjashme me makinat e Formula 1, por në formë të një hiperautomobili për klientë privatë. /Telegrafi/