Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Klan Kosova, i cili ndodhi të enjten pasdite në fshatin Prelez i Muhaxherëve.
Sipas reagimit të AGK-së, kameramani Arben Restelica është sulmuar fizikisht derisa ishte duke xhiruar në një ambient publik.
Në videon e publikuar nga rasti, shihet një person që e godet kameramanin me një shkop në shpinë.
Gazetarja Qëndresa Tërshani dhe kameramani Restelica kanë raportuar rastin në polici pas incidentit.
AGK-ja e ka cilësuar sulmin si të papranueshëm, duke theksuar se akte të tilla rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve dhe pengojnë ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që të ndërmarrin masa të menjëhershme për identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit, si dhe për vendosjen e drejtësisë në këtë rast”, thuhet në reagim. /Telegrafi/