Barcelona po punon për ta transferuar një sulmues të ri këtë verë, teksa përgatitet të ndahet me Robert Lewandowskin.
Julian Alvarez mbetet objektivi kryesor, por duke qenë se Atletico Madrid nuk po jep sinjale se do ta hapë derën për një transferim të mundshëm, drejtori sportiv Deco ka nisur të shqyrtojë seriozisht edhe alternativa të tjera dhe njëra prej tyre është Joao Pedro.
Muajin e kaluar, Pedro u përmend si një opsion i mundshëm për Barcelonën, në rast se marrëveshja për Alvarezin do të ishte e pamundur, dhe me kalimin e javëve vlerësimi për të brenda klubit është rritur gradualisht.
Tani ai shihet si një nga alternativat kryesore ndaj sulmuesit të Atleticos dhe së shpejti mund të nisin bisedimet me përfaqësuesit e tij.
Kur të vijë ai moment, Barcelona do të informohet se Pedro është i hapur për një kalim në “Spotify Camp Nou”.
Por, sipas Simon Phillips, reprezentuesi i Brazilit po bëhet gjithnjë e më i prirur ndaj idesë që ta vazhdojë karrierën te kampioni në fuqi i La Ligës.
Raporti shton gjithashtu se Pedro, i cili deri tani nuk i ka thënë qartë Chelseat se dëshiron të shqyrtojë një transferim te Barcelona, tashmë ka biseduar me bashkëlojtarin e tij te Brazili, Raphinhan, rreth jetës te klubi katalanas, duke nënvizuar se ai është i intriguar nga ideja për t’iu bashkuar skuadrës së Hansi Flickut.
Megjithatë, Chelsea nuk pritet të marrë në konsideratë ofertat që mund të vijnë për Pedron, të cilin e sheh si një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Kjo paraqet problem për Barcelonën, e cila do të duhej të paguante shumë për ta pasur ndonjë shans në transferimin e tij, duke qenë se ai ka kontratë me klubin anglez deri në verën e vitit 2033./Telegrafi/