Kolagjeni përbën rreth 75 për qind të peshës së thatë të lëkurës. Me fjalë të thjeshta, ai është “skeleti mbështetës” që e mban lëkurën të fortë dhe në formë. Me kalimin e moshës, nivelet e kolagjenit fillojnë të ulen, gjë që sjell ndryshime të dukshme në lëkurë. Në fakt, pas moshës 25 vjeç, humbim rreth 1% të kolagjenit çdo vit. Kur lëkura humbet elasticitetin, fillojnë të shfaqen poret më të mëdha dhe rrudhat.
Sipas mjekes estetike Sophie Shotter, kolagjeni është një proteinë shumë e rëndësishme që mban fortësinë dhe elasticitetin e lëkurës.
Me kalimin e kohës, qelizat që prodhojnë kolagjen bëhen më pak aktive. Faktorët që e përshpejtojnë humbjen e tij janë ekspozimi në diell, ushqimi i dobët, stresi dhe ndryshimet hormonale, veçanërisht gjatë menopauzës.
Shenjat kryesore të humbjes së kolagjenit
1. Lëkura humbet fortësinë dhe fillon të varset
Lëkura bëhet më pak e qëndrueshme, poret duken më të mëdha dhe ajo hollohet gradualisht.
2. Lëkura bëhet më e thatë
Kolagjeni ndihmon në mbajtjen e lagështisë, ndaj kur ai ulet, lëkura thahet më lehtë.
3. Rrudhat dhe vijat e shprehjes bëhen më të dukshme
Rrudhat nuk zhduken më si më parë kur fytyra është në gjendje të relaksuar.
4. Lëkura duket më pak e plotë dhe elastike
Ajo nuk rikthehet më shpejt pas shtypjes si në moshë të re.
5. Ndryshon forma e fytyrës
Lëkura hollohet, zona rreth syve duket më e thelluar dhe mund të shfaqen edhe ndryshime në flokë, thonj, madje edhe dhimbje në nyje.
Kolagjeni dhe menopauza
Gjatë menopauzës, nivelet e estrogjenit bien, dhe kjo ul ndjeshëm prodhimin e kolagjenit. Për këtë arsye, shumë gra vërejnë që lëkura bëhet më e hollë dhe më pak elastike në këtë periudhë.
A është humbja e kolagjenit e përhershme?
Trupi vazhdon të prodhojë kolagjen gjatë gjithë jetës, por me ritëm më të ngadalshëm. Disa kremra dhe përbërës aktivë mund ta stimulojnë prodhimin e tij, por efektet varen nga kujdesi i vazhdueshëm i lëkurës.
Si të ngadalësojmë humbjen e kolagjenit
Të shmanget duhani dhe ekspozimi i tepërt në diell;
Të përdoret krem mbrojtës SPF çdo ditë;
Të kemi gjumë të mjaftueshëm dhe të ulim stresin;
Të bëjmë aktivitet fizik rregullisht;
Të ushqehemi shëndetshëm me proteina, fruta, perime dhe vitamina;
Të përdorim produkte me përbërës që stimulojnë kolagjenin.
A funksionojnë kremrat me kolagjen?
Kremrat me kolagjen mund ta përmirësojnë pamjen e lëkurës në sipërfaqe, por nuk depërtojnë thellë sa për të ndaluar humbjen e kolagjenit në brendësi. Prandaj ato ndihmojnë më shumë për efekt kozmetik të menjëhershëm.
Në përgjithësi, mënyra më e mirë është kombinimi i një stili jetese të shëndetshëm me kujdes të rregullt të lëkurës.