Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kryeqytet, duke e quajtur bashkëpunimin mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Partisë Demokratike të Kosovës, si një koalicion të “zyrtarizuar” mes LDK-së dhe PDK-së.
Në një postim në Facebook, VV ka deklaruar se kjo, sipas saj, ishte e ditur që nga balotazhi në Prishtinë.
“LDK e Përparim Ramës u bë bashkë me PDK-në e Uran Ismailit. Tinëzisht, përseri. U zyrtarizua ajo që e kemi ditur nga balotazhi në Prishtinë”, thuhet në reagimin e VV-së.
Sipas VV-së, ky bashkëpunim nuk bëhet për të mirën e qytetit, por “për interesa të ngushta”.
“Natyrisht, përsëri bashkë por jo për të miren e këtij qyteti por veç për interese të ngushta”, thuhet më tej.
VV ka thënë se koalicioni është dëshmi se “politika e vjetër” po rreshtohet sërish për interesa të përbashkëta.
“Ky koalicion i zyrtarizuar është dëshmi e qartë se politika e vjetër po rreshtohet sërish për të ruajtur interesat e përbashkëta me çdo kusht”, vijon postimi.
Më tej, VV e ka cilësuar këtë koalicion si “bashkim vetëm interesash”, duke thënë se nuk ka të bëjë me qytetarët dhe zhvillimin e Prishtinës.
“Ne e shohim këtë koalicion si një bashkim vetëm interesash që nuk ka të bëjë as me qytetarët e as me zhvillimin e Prishtinës”, thuhet në reagim.
Në të njëjtin postim, VV ka rikujtuar edhe përplasjet e mëhershme mes këtyre subjekteve, duke pretenduar se pas qeverisjes së përbashkët ata janë ndarë për interesa dhe kanë lënë kryeqytetin në gjendje të rënduar.
“Përkundër përplasjeve të tyre të mëhershme, pasi qeverisën 3 vite, u ndan për interesa ndertimesh, e lanë kryeqytetin në mbeturina e gropa. Sot ata po dëshmojnë se dallimet kanë qenë vetëm retorike”, thuhet më tej.
Në fund, VV ka thënë se kjo është “arsye më shumë” për të vazhduar rrugën e ndryshimit dhe qeverisjes së ndershme.
“Kjo është edhe një arsye më shumë për të vazhduar, bashkë me qytetarët, rrugën e ndryshimit dhe të qeverisjes së ndershme”, përfundon reagimi. /Telegrafi/