Universitetet, fabrikat e prodhimit të uraniumit dhe pjesë të tjera jetike të zinxhirit të furnizimit bërthamor të Iranit janë goditur nga sulme amerikane dhe izraelite gjatë muajve të fundit.
Por një analizë e CNN-it e imazheve satelitore tregon se jo të gjitha elementet e këtij procesi janë goditur.
Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur prej kohësh aftësinë e Teheranit për të prodhuar armë bërthamore.
Edhe pse sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj një numri objektesh kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, disa pjesë kyçe të zinxhirit mund të mos jenë prekur fare, sipas analizës sonë.
Një objekt që po shkakton shqetësim të madh për SHBA-në dhe Izraelin është Impianti i Konvertimit të Uranit në Isfahan.
Aty, materialet e prodhuara në fazat e hershme të procesit dërgohen për t’u pastruar dhe për t’u kthyer në heksafluorid uraniumi, i cili përdoret për pasurimin e uraniumit.
Imazhet satelitore që ndjekin lëvizjet rreth këtij objekti të rëndësishëm sugjerojnë se diçka me vlerë mund të jetë ende e fshehur në tunelet përreth.
David Albright, themelues dhe president i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në Uashington, DC, tha se rezervat e dukshme në Isfahan përbëjnë “një rrezik të madh”.
“Sasia e uraniumit të pasuruar që ata kanë prodhuar ishte e barabartë me prodhimin e plotë të një viti të gjithë kompleksit të tyre të pasurimit dhe besohet se pjesa më e madhe, pothuajse e gjitha, ndodhet në Isfahan”, tha ai.
Kërkesa e SHBA-së për heqjen e rezervave të uraniumit në Iran ka qenë një çështje kyçe që ka bllokuar negociatat me Teheranin.
Dhe përcaktimi i saktë se sa mbetet është thelbësor për të kuptuar nëse Irani vazhdon të përbëjë një kërcënim bërthamor. /Telegrafi/