Porti i New Orleansit në Shtetet e Bashkuara ka ngritur padi në vlerë prej një milion dollarësh ndaj pronarëve dhe menaxherëve të një anijeje-cisternë, e cila u përplas me një anije turistike në lumin Misisipi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke lënë 32 persona të lënduar.
Sipas BBC-së, padia është paraqitur në gjykatën federale në Luiziana dhe pretendon se përgjegjësia për përplasjen i takon anijes-cisternë “Atlantic Asphalt” dhe kompanive që e zotërojnë dhe menaxhojnë atë.
Porti kërkon kompensim për dëmet që tejkalojnë një milion dollarë, përfshirë shpenzimet e pastrimit, inspektimeve, riparimeve dhe kostot e tjera të shkaktuara nga incidenti.
Në padi kërkohet gjithashtu që anija-cisternë të sekuestrohet dhe të shitet për të mbuluar dëmet. Dokumenti pretendon se përplasja ndodhi si pasojë e neglizhencës dhe pakujdesisë së anijes dhe kompanive përgjegjëse për operimin e saj.
Përplasja ndodhi të premten pasdite, kur “Atlantic Asphalt” goditi anijen turistike “American Heritage”, e cila ishte e ankoruar në port. Si pasojë, kjo e fundit u përmbys anash dhe mbeti pjesërisht e zhytur në lumin Misisipi.
Në bordin e saj ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit. Më shumë se 100 persona u evakuuan nga lumi, ndërsa 32 prej tyre u dërguan në spital me lëndime që nuk konsiderohen kritike. Autoritetet konfirmuan se asnjë person nuk rezultonte i zhdukur.
Zyrtarët e cilësuan ngjarjen si një “mrekulli në Misisipi”, për shkak se të gjithë pasagjerët u shpëtuan.
Shkaku i saktë i përplasjes është ende nën hetim. Kapitenia Melanie Burnham nga Roja Bregdetare e SHBA-së tha se dyshohet se ka pasur një problem me drejtimin e anijes-cisternë.
Kompania Thome Ship Management, e cila menaxhon “Atlantic Asphalt”, ka deklaruar se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe se po bashkëpunon me autoritetet gjatë hetimeve.
Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve në terminalin portual dhe në anijen turistike.

