Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia sot është shumëfish më e fortë se para 15 vitesh dhe vlerësoi se vendi tani do të kishte kapacitete mbrojtëse dukshëm më të mëdha sesa në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë në vitin 1999.
“Sot jemi shumë më të fortë dhe prandaj askush nuk do të na sulmojë, por duhet të vazhdojmë të forcohemi”, tha ai.
Duke folur për Kosovën, udhëheqësi serb theksoi se kjo çështje është rikthyer në tryezën e negociatave, duke nënvizuar se Serbia nuk do të përfshihet në luftë dhe se mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe zhvillimit të mëtejshëm, shkruan index.hr.
“Tani do të kishim me çfarë të shkonim në luftë, por nuk dua luftë, sepse u kam premtuar qytetarëve paqe”, deklaroi ai, duke shtuar se Serbia vazhdon bashkëpunimin me partnerë të ndryshëm, përfshirë Iranin dhe Izraelin.
Ai shtoi se forca e Ushtrisë së Serbisë është rezultat i rritjes ekonomike dhe investimeve në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se vendi disponon sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh ushtarake.
Ndërkohë, së fundmi Serbia ka blerë armatim sulmues nga Izraeli. /Telegrafi/