Largimin e disa anëtarëve të saj dhe kalimin e tyre në radhët e ZNAM-it, LSDM nuk e sheh si humbje politike, por si një mundësi për t’u çliruar nga individët që, sipas saj, kanë vepruar kundër interesave të partisë.
Në një reagim të ashpër, LSDM-ja akuzoi ZNAM-in e Maksim Dimitrievskit se është shndërruar në instrument politik të kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa ndaj ish-anëtarëve të saj që kaluan në këtë subjekt hodhi akuza për veprimtari të motivuar nga përfitimet financiare. “Radhët e LSDM-së sot janë më të pastra nga disa persona që kanë vepruar kundër partisë. Kur i zbuluam të gjithë ata që për para përpiqeshin ta pengonin luftën kundër mafies, disa prej tyre kaluan me nxitim në ZNAM, shoqatën e Makso Dimitrievskit, të sponsorizuar nga Mickoski”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga kjo parti pretendojnë se ZNAM-i ka humbur peshën e tij politike dhe se largimet e mëparshme nga ky subjekt dëshmojnë, sipas tyre, për ndikimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Mickoski mbi të. “Shoqata ZNAM tashmë nuk ekziston. Këtë e tregojnë edhe anketat e shefit të tyre, Mickoskit. Pasi u kuptua se gjithçka ishte marrë vesh dhe ishte nën kontrollin e Mickoskit, deputetë, këshilltarë dhe grupe të tëra njerëzish e braktisën ZNAM-in”, theksojnë nga LSDM-ja.
Në reagimin e tyre, socialdemokratët përdorën edhe një krahasim të ashpër historik për të përshkruar kalimin e ish-anëtarëve të tyre te ZNAM-i.
“Sot, kalimi në ZNAM është njësoj sikur dikush në vitin 1945 të kishte kaluar te çetnikët. Fatkeqësisht, njerëzve të tillë nuk u intereson Maqedonia, por përfitimet e vogla financiare, pa e kuptuar se e kanë etiketuar veten për gjithë jetën”, thuhet në kumtesë.
LSDM-ja e lidhi këtë zhvillim edhe me akuzat e saj më të gjera për krim dhe korrupsion, duke përmendur rastin e Alta Bankës, dyshimet për pastrim parash dhe çështje të tjera që, sipas saj, duhet të hetohen nga institucionet kompetente.
Në këtë kontekst, partia iu referua edhe një njoftimi që ia atribuoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me luftën kundër rrjeteve kriminale transnacionale në Ballkanin Perëndimor. Sipas pretendimeve të LSDM-së, Maksim Dimitrievski ka pasur rol në procesin e ardhjes së Alta Bankës në vend, së bashku me kryeministrin Mickoski dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
“Ndërkohë që po punohet për rastin e pesë tonëve drogë, i njëjti grup kalon në ZNAM, te po ai Makso, i njohur për tenderin në Postë, në kohën kur të punësuarit nuk kishin para për paga, apo për shitjen e parcelës kompanisë Lidl dhe përfitimin e qindra mijëra eurove brenda natës”, pretendojnë nga LSDM-ja.
Nga LSDM-ja vlerësojnë se largimi i këtyre individëve është më i dobishëm për partinë sesa vazhdimi i pranisë së tyre në strukturat e saj. “Njerëz të tillë nuk mund të jenë më pjesë e radhëve tona. Është më mirë që tani ta tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, sesa të vazhdojnë të punojnë kundër nesh nga brenda”, theksohet në reagim.
Në fund, socialdemokratët akuzuan ZNAM-in se po përpiqet t’i paraqesë si përforcim politik individët që, sipas tyre, janë larguar nga LSDM-ja për interesa personale.
“Ndërsa qytetarët dhe individët rreshtohen në anën e LSDM-së dhe Frontit për të Vërtetën dhe Drejtësinë, në luftën kundër grupit në pushtet të udhëhequr nga Mickoski, ZNAM-i mburret me njerëzit e tij të rinj të paguar. ZNAM është satelit. Edhe ZNAM 2.0 është mjet i Mickoskit”, përfundon reagimi i LSDM-së.

