Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Komisionin Ad Hoc të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka vazhduar aksionin për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të paraqitura nga konsumatorët.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të realizuara janë identifikuar raste të devijimeve në orë dhe datë në disa njehsorë elektrikë.
Pajisjet ku janë konstatuar parregullsi janë tërhequr dhe janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.
Ndërkohë, për njehësorët me afat të skaduar të vlefshmërisë, janë iniciuar dy procedura të gjobitjes ndaj operatorit KEDS, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Aksioni i sotëm është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, ndërsa institucionet kanë bërë të ditur se verifikimet do të shtrihen në gjithë territorin e Kosovës, në bazë të planit operacional dhe ankesave të qytetarëve.
MINTI ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi lidhur me njehësorët elektrikë, përmes numrit të telefonit dhe adresës elektronike të dedikuar për konsumatorët.