Britney Spears mund të ketë mundësi ta shmangë një dënim me burg në çështjen e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit, kanë konfirmuar zyrtarët. Prokuroria e qarkut Ventura të enjten ngriti një akuzë për kundërvajtje ndaj yllit 44-vjeçar të popit, ndërsa seanca e parë gjyqësore është caktuar për 4 maj, shkruan People.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se këngëtares me gjasë do t’i ofrohet një marrëveshje (plea deal) për drejtim të pakujdesshëm që përfshin alkoolin. Një zgjidhje e tillë konsiderohet e zakonshme në raste të tilla, sidomos duke pasur parasysh se Spears nuk ka shkelje të mëparshme për drejtim nën ndikim, gjatë arrestimit nuk ka pasur aksident apo të lënduar, si dhe niveli i alkoolit në gjak thuhet se ka qenë i ulët.
Sipas protokollit standard, një marrëveshje e tillë i mundëson të akuzuarit të pranojë fajësinë për drejtim të pakujdesshëm me prani alkooli dhe/ose droge dhe të dënohet me 12 muaj dënim me kusht. Në dënim llogaritet edhe koha e kaluar në ndalim. I akuzuari, po ashtu, duhet të ndjekë një kurs rreth rreziqeve të drejtimit nën ndikim dhe të paguajë gjobat dhe shpenzimet gjyqësore të përcaktuara me ligj.
Foto: Allen Berezovsky/WireImage
Zyrtarët kanë theksuar se kjo mënyrë e zgjidhjes së rastit është “e zakonshme”, veçanërisht kur i akuzuari tregon “iniciativë personale për ta adresuar problemin”, përmes rehabilitimit ose programeve të trajtimit të varësisë.
Një përfaqësues i këngëtares, më herët gjatë këtij muaji, konfirmoi se Spears është paraqitur vullnetarisht në një institucion trajtimi. Një burim i paidentifikuar tha se djemtë e saj, Sean Preston (20 vjeç) dhe Jayden James (19 vjeç), kanë pasur rol kyç në vendimin e saj për të kërkuar ndihmë.
“Djemtë e saj e kanë shtyrë shumë drejt rehabilitimit. I kanë folur qartë. Ata thjesht duan që ajo të jetë mirë”, tha burimi. “Ajo ishte shumë e mërzitur dhe e tronditur pas arrestimit dhe e tmerron ideja e burgut. I deshën disa javë që ta kuptonte se trajtimi ishte alternativa më e mirë”.
Foto: Getty Images
Seanca ku Spears pritet të deklarohet lidhur me fajësinë është caktuar për 4 maj. Duke qenë se bëhet fjalë për kundërvajtje, zyrtarët sqaruan se ajo nuk është e detyruar të paraqitet personalisht në gjykatë, por mund të përfaqësohet nga avokati i saj.
Spears u arrestua më 4 mars, pasi automjeti i saj, një BMW i zi, ishte raportuar te policia e trafikut në Ventura për “drejtim të parregullt me shpejtësi të lartë”. Pasi u ndalua nga policia, ajo “shfaqi shenja të aftësisë së reduktuar për të drejtuar automjetin”. Pas një serie testesh në vendngjarje, ajo u arrestua dhe u dërgua në stacion, ndërsa u lirua mëngjesin e ditës pasuese. /Telegrafi/