Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, ka shprehur kënaqësinë e tij pas vazhdimit të kontratës së mesfushorit Leon Avdullahu me klubin gjerman, duke e cilësuar atë si një futbollist me rëndësi të madhe për ekipin dhe me potencial të vazhdueshëm për rritje.
Avdullahu e rinovoi marrëveshjen me Hoffenheimin të mërkurën, ndërsa Ilzer e komentoi vendimin të premten në konferencë për shtyp, duke vënë në pah rolin e lojtarit si organizator i lojës dhe sigurinë e tij me top.
“Ai ishte shumë i rëndësishëm në ekipin e Baselit që e fitoi titullin e kampionit në Zvicër dhe ka vazhduar njëjtë edhe tek ne”.
“Ai është organizator i lojës dhe jashtëzakonisht i sigurt me top. Është po ashtu shumë ambicioz dhe dëshiron të përmirësohet ende. Avdullahu i di kualitetet që i ka”, ka thënë Ilzer.
Mesfushori, i cili në të kaluarën ishte pjesë kyçe e Baselit kampion në Zvicër, po vazhdon të ketë të njëjtin ndikim edhe te Hoffenheimi, duke u shndërruar në një prej pikave kryesore të repartit të mesfushës.
Këtë sezon Avdullahu është aktivizuar në 30 ndeshje në Bundesliga, ku në 29 prej tyre ka qenë titullar dhe ka një asistim./Telegrafi/