Ambasadori i Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari ka bërë të ditur se ka pranuar dekretin për lirimin nga detyra, duke konfirmuar përfundimin e mandatit të tij në Vatikan.
Në një postim, Miftari ka theksuar se ky vendim shënon mbylljen e një periudhe dyvjeçare angazhimi diplomatik, të cilën e ka cilësuar si të rëndësishme dhe me sfida.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës! Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan”, ka deklaruar Miftari.
Ai ka theksuar se shërbimi i tij për Kosovën do të vazhdojë edhe më tej, pavarësisht përfundimit të mandatit diplomatik.
“Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”, ka shtuar ai.
Miftari ka vlerësuar se gjatë mandatit të tij janë konsoliduar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë.
“Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për besimin, institucionet e Selisë së Shenjtë për bashkëpunimin, si dhe qytetarët për mbështetjen.
“Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim”, ka deklaruar Miftari.
Në fund të njoftimit, ai është shprehur i gatshëm për dorëzimin e detyrës tek pasardhësi.
“Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që… të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/