Florentino Perez po ushtron presion për rikthimin e Jose Mourinho në krye të Real Madrid, teksa klubi po përgatitet për një tjetër ndryshim në stol.
Sipas raportimeve të David Ornstein, trajneri aktual Alvaro Arbeloa pritet të largohet në fund të sezonit. Arbeloa mori drejtimin e ekipit në janar, pas shkarkimit të Xabi Alonso, por aventura e tij duket se do të jetë jetëshkurtër.
Presidenti Perez synon një rindërtim të thellë të skuadrës pas një sezoni zhgënjyes pa trofe madhorë dhe e konsideron Mourinhon si figurën e duhur për të rikthyer konkurrueshmërinë. Megjithatë, ideja për rikthimin e portugezit nuk është pritur njëzëri brenda klubit, pasi ka edhe zëra kundër këtij opsioni.
telegrafi.com
Një rikthim i mundshëm i Mourinhos do të shënonte ribashkimin e tij me drejtuesin e klubit madrilen, pas një periudhe të mëparshme të suksesshme, ku ai arriti të fitojë edhe titullin e La Liga me një numër rekord pikësh.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të sezonit, ndërsa Real Madridi synon të hapë një kapitull të ri për të rikthyer dominimin në Spanjë dhe Evropë. /Telegrafi/