Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar të hënën mbrëma, duke dënuar sjelljet e tifozëve në dy ndeshjet e para gjysmëfinale të play-offit, të zhvilluara në Pejë dhe Mitrovicë.
Në ndeshjen e parë, e luajtur të enjten në palestrën “Minatori”, Trepça fitoi ndaj Pejës me rezultat 86:78. Ndërkohë, të dielën në “Karagaçi”, para një audience të madhe, Peja triumfoi në një sfidë dramatike 95:93 ndaj Trepçës, duke i shkaktuar mitrovicasve humbjen e parë në Superligë që nga 7 dhjetori, kur ishin mposhtur nga Vëllaznimi.
FBK-ja thekson se gjatë këtyre ndeshjeve janë evidentuar fyerje të organizuara në kor nga tribunat në drejtim të lojtarëve, sjellje që, sipas Federatës, bie ndesh me parimet bazë të respektit, integritetit dhe fair-playt në sport.
“Gjatë këtyre ndeshjeve janë konstatuar fyerje të organizuara në kor nga tribunat në drejtim të lojtarëve, sjellje që bie ndesh me parimet themelore të respektit, integritetit dhe fair-play që përbëjnë bazën e garave sportive. Federata e konsideron veçanërisht të rëndë faktin se në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, përveç fyerjeve nga tribunat, janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të përçuar mesazhe fyese, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare gjatë ndeshjes. Një praktikë e tillë është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e FBK-së.
Federata njoftoi se ka ndërmarrë masa disiplinore në përputhje me rregulloret e saj në fuqi dhe se do të vazhdojë të veprojë për të garantuar zhvillimin e garave në kushte të rregullta dhe me kulturë sportive.