Ish-kapiteni i Kosovës Milot Avdyli mund të bëhet me skuadër të re në verë. Bëhet fjalë për gjigantin holandez AZ Alkmaar.
Avdyli këtë edicion ka “shpërthyer” te skuadra sllovene Celje, ku e fituan titullin e kampionit ndërsa paraqitjet e anësorit ishin mbresëlënëse – ku shënoi tre gola dhe dhuroi 12 asistime në të gjitha garat.
Në dy paraqitjet e fundit, 23-vjeçari ka realizuar dy gola radhazi kësisoj edhe ka fituar vëmendjen e disa klube evropiane, ndër to edhe Alkmaar.
Sipas “Transfermarkt”, gjiganti holandez po e konsideron seriozisht afrimin e anësorit në verë, ndërsa iu pëlqen edhe që është profil modern, pra përshtatet në disa pozita.
Avdyli këtë edicion për Celjen ka luajtur 10 paraqitje si sulmues i djathtë, pesë si mesfushor ofansiv, tri si qendër-mesfushor, dy si mesfushor defansiv si dhe një edhe si mbrojtës i krahut të djathtë.
Kartoni i yllit kosovar në “Transfermarkt” vlerësohet rreth 400 mijë euro, megjithatë Celje do të kërkojë miliona për ta liruar pasi ka kontratë deri në qershorin e vitit 2028.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda do t’ia jep mundësinë Avdylit për ta dëshmuar kualitetin këtë qershor në dy ndeshjet miqësore, apo nëse ai do të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar./Telegrafi/