Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, në një intervistë në Klan Kosova, ka thënë se pesëshja mosnjohëse e BE-së ndaj Kosovës, duhet të ndryshojë qëndrimin e tyre.
Ai tha se edhe deklarimi i Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se ka lëvizje në këtë drejtim, mund të jetë e besueshme.
“Unë shpresoj shumë që Komisionerja për Zgjerim Marta Kos, ka prova se gjërat po lëvizin rreth pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, ajo nuk do ta thoshte një gjë të tillë fare”.
“Por mendoj se tani është koha që këto pesë vendet mosnjohëse ta kuptojnë se duke e pranuar Kosovën e pavarur, s’ka asgjë të bëjë me çështjet e tyre të mundshme, pra të brendshme, që ata mund t’i kenë. Pra, është koha e duhur që të lëvizet dhe sidomos me aplikimin e Kosovës që ajo e ka bërë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE”, deklaroi Reuten për emisionin Info Magazine.
Ai tha se me aplikimin e Kosovës mund të lëvizet pa asnjë problem, “se mund të shkelet ndonjë rregull a traktat i unionit, edhe nëse disa vende anëtare kanë nevojë për më shumë kohë që ta njohin Kosovën e pavarur”.