Kampioni i Kosovës Trepça e ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës, për ta mposhtur Pejën në gjysmëfinalen e parë.
Në palestrën “Minatori”, vendasit zhvilluan një tjetër paraqitje të shkëlqyer për të fituar me rezultat 86-78 (24:21, 24:16, 13:17, 25:24).
Trepça e nisi më mirë pavarësisht që e mbyllën çerekun e parë me vetëm tre pikë epërsi 24-21. Megjithatë, e përforcuan nivelin në çerekun e dytë për ta rritur epërsinë totale në 11 pikë, pra plot tetë brenda 10-minutëshit të dytë (24-16).
Peja tentoi të kthehet në lojë në çerekun e tretë, por e tëra që arriti ta bënte ishte ta ulte këtë epërsi, për ta mbyllur me rezultat 13-17. Mirëpo, Trepça nuk lejoi befasi për ta fituar çerekun vendimtar 25-24, si dhe regjistroi triumfin e parë në gjysmëfinale.
Te Trepça më i dalluari ishte Drilon Hajrizi me 17 pikë, ndihmuar nga Payne e Jones me nga 13 sosh. Ndërkohë, për Pejën e pamjaftueshme ishte paraqitja fantastike e Dardan Berishës me 19 pikë./Telegrafi/