Dukagjini ka arritur në finalen e Kupës së Kosovës për edicionin 2025/26, pas dy fitoreve ndaj Ballkanit 0-3 dhe 3-2.
Klinasit duan për herë të parë në histori ta fitojnë këtë trofe, teksa në finale do të përballen me Ferizajn, një tjetër skuadër që ka kaluar gjitha pritshmëritë këtë sezon.
E futbollisti më i mirë i Dukagjinit këtë edicion padyshim se është Dienit Isufi, mesfushori ofensivë gjilanas që po dhuron spektakël në fushë, me gola e asistime fantastike.
23-vjeçari ka folur për Telegrafin, duke thënë se arritja në finale është një gjë shumë e madhe.
“Për Dukagjinin nuk është hera e parë që arrijmë në finale, por kjo do të thotë shumë për ne, pasi Kupa është rruga e vetme që na dërgon në Evropë. Është një arritje e madhe, sidomos pas një sezoni shumë të mirë që kemi zhvilluar deri më tani”, deklaroi Isufi për Telegrafin.
Ai theksoi se është në një formë shumë të mirë, duke e cilësuar këtë si sezonin më të mirë të karrierës së tij.
“Po kaloj nëpër një formë shumë të mirë, por kjo vjen edhe falë bashkëlojtarëve. Pa ndihmën e tyre nuk do t’i arrija golat dhe asistimet. Mund të them se ky është sezoni më i mirë në karrierën time”, u shpreh ai.
Sa i përket objektivave, Isufi ishte i qartë si në aspektin personal ashtu edhe atë ekipor, ku synon të vazhdoj me gola dhe ta fitoj Kupën me Dukagjinin.
“Objektivat e mia janë të vazhdoj me gola dhe asistime për të ndihmuar skuadrën. Ndërsa me klubin, synimi është të sigurojmë qëndrimin në elitë dhe të fitojmë Kupën për të dalë në Evropë”.
Duke folur për statistikat e tij, ai nuk i konsideron ato rastësi, pasi deri më tani ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar në pesë të tjerë.
“Kemi një skuadër shumë të mirë dhe gjashtë golat e mi nuk janë rastësi. Jam shumë i lumtur edhe me asistimet dhe shpresoj që këto shifra të rriten deri në fund të sezonit. Jam në formë të mirë dhe besoj se mund të arrij shifra dyshifrore në gola ose asistime”.
Në fund, Isufi komentoi edhe për të ardhmen e tij, pasi nuk mungon interesimi nga kampionate të ndryshme evropiane.
“Kam kontratë me Dukagjinin dhe qëllimi im është të luaj në garat evropiane me klubin tim. Ka interesime nga disa kampionate evropiane, por çdo klub që më dëshiron duhet fillimisht të merret vesh me Dukagjinin. Pastaj do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”, përfundoi ai. /Telegrafi/